Vjen libri i Rudina Zeqirit për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

NJË STUDIM SERIOZ PËR KOMUNIKIMIN PUBLIK TË
LËVIZJEAS KOMBËTARE SHQIPTARE

Mehmet Hajrizi
Recension për librin e autores Rudina Zeqiri, „Format specifike të komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav“

Libri „Format specifike të komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav“, i autores Rudina Zeqiri, fillimisht është konceptuar si temë e studimeve të nivelit master, e cila u vlerësua lart në Universitetin e Tetovës. Si e tillë ajo i plotëson të gjitha kriteret e një publikimi të mirëfilltë shkencor.
Ky lloj i shkrimit mund të kualifikohet si publicistikë shkencore, i punuar me metoda dhe teknika e aparaturë profesionale, me faktografi historike e saktësi të të dhënave, gjuhë akademike me fuqi shprehëse dhe kulturë të lartë të të shkruarit. Autorja e veprës lëndën e ka mbledhur nga burime primare dhe sekondare, por mbi të gjitha bie në sy saktësia e mendimit, kreativiteti dhe origjinaliteti i saj, pa huazime dhe kompilime, që i jep seriozitetin e lartë librit dhe autores. Me punën e përkushtuar dhe pasionin e pashembullt e dashurinë për këtë fushë të studimit, materien e librit Rudina ia ka nënshtruar kritereve shkencore të shqyrtimit, duke arritur qëllimin e saj. Në këtë kuptim, ajo i ka siguruar prurje të reja historiografisë shqiptare në fushën e studimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Rudina Zeqiri përfaqëson brezin e ri të studiuesve shqiptarë që me guxim i hyri një projekti publicistik dhe historiografik të pastudiuar mjaftueshëm deri tashti, duke hedhur dritë mbi çështje shumë komplekse dhe të mundimshme për t’u hulumtuar, siç është kjo e aspektit të veçantë dhe shumë të rëndësishëm të veprimtarisë së Lëvizjes së re Kombëtare Shqiptare: komunikimi publik i organizatave çlirimtare në kushtet e përndjekjes dhe terrorit policor. Ajo për një kohë relativisht të shkurtër ka arritur të konsultojë literaturë relevante, të trajtojë dokumente faktografike arkivore dhe të intervistojë gjerësisht një varg veprimtarësh, veteranë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Intervistimi i veteranëve çlirimtarë përbën rëndësi të veçantë sot, jo vetëm për faktin se prej tyre mund të merren informata të karakterit primar, dëshmi të argumentuara e objektive, si faktografi shkencore, por edhe pse ata po rrallohen gjithnjë e më shumë, duke i marrë ato me vete në varre.
Libri nis me një dedikim kuptimplotë familjarëve kryengritës të autores e gjithë veprimtarëve të lirisë dhe mbyllet me një përfundim përmbledhës e konkludues për çështjet e trajtuara në të.
Lëvizja Kombëtare e historisë më të re të shqiptarëve dhe sidomos shtypi i saj klandestin, si formë e komunikimit publik, janë studiuar fare pak nga institucionet tona shkencore.
Lënda e librit është strukturuar në katër kapituj përmbajtjesorë, duke filluar nga gjeneza e çështjes shqiptare dhe trajtimi i saj nga faktorët ndërkombëtarë e vendimmarrës në periudha të ndryshme historike, për t’u fokusuar te thelbi i përmbajtjes me tipologjinë e formave të komunikimit publik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në mënyrë të veçantë me shtypin klandestin të saj dhe së fundi, me paraqitjen sintetizuese të zgjerimit të veprimtarisë shumëdimensionale klandestine e kalimit të saj nga format e fshehta të veprimit te revolta e hapur dhe masive e qytetarëve, duke shprehur vullnetin plebishitar të një populli të tërë nën sundim.
Përveç temës bosht me interes të lartë dhe specifik shkencor, autorja trajton edhe aspekte të tjera të veprimtarisë së gjithmbarshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e fokusuar në një hark kohor gati tridhjetë vjeçar të fundshekullit të kaluar. Një hapësirë të merituar autorja i jep në libër kryengritjes shqiptare të vitit 1981, e cila ishte rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit shumëvjeçar të veprimtarëve të organizuar në përgjithësi dhe të shtypit klandestin në veçanti. Viti 1981 përbën nyjën dhe kthesën vendimtare, si një rubikon në historinë më të re të kombit shqiptar, përbën fillimin e fundit të robërisë së shqiptarëve nën Jugosllavi.
Autorja me të drejtë konstaton të vërtetën historike se shtypi i regjimit pushtues, duke përfshirë edhe mediat zyrtare në gjuhën shqipe, kanë qenë mjete të propagandimit të ideve të sundimit të qarqeve të tërbuara shoviniste e antishqiptare.
Në kushtet robëruese të ndalimit të rreptë të lirisë së shtypit dhe të mendimit e fjalës, ku censurimi i gazetarisë, i librave dhe i çdo fushe të krijimtarisë shqiptare bëhej si në mesjetën obskurantiste, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke u mbështetur në përvojën e lavdishme të rilindësve tanë, por edhe të lëvizjeve çlirimtare në botë, nga fillimi i viteve shtatëdhjetë ngriti një sistem të tërë të shtypit klandestin, nëpërmjet të trakteve politike, thirrjeve e parullave, publikimeve të veçanta e sidomos të revistave periodike e gazetave, të cilat u bënë mjete të pazëvendësueshme të komunikimit të saj me publikun shqiptar.
Sasia e ruajtur e shkrimeve të shtypit tonë klandestin, përbën një fond thesari në arkivat e ndryshëm, jo vetëm aty ku jetojnë shqiptarët. Ato janë hartuar në kushte tepër të rënda të ndjekjes policore, në konspiracion të thellë, në mungesë të mjeteve teknike e materiale, me vështirësitë e sigurimit të të dhënave etj.
Autorja Rudina Zeqiri kërkon me të drejtë nga lexuesi që vlerësimi i shtypit klandestin të bëhet duke pasur parasysh kontekstin historik kur janë shkruar dhe funksionin e tyre demaskues, frymëzues e mobilizues. Shtypi klandestin i është dedikuar në radhë të parë qytetarëve të robëruar, por ishte edhe si formë komunikimi me Shqipërinë, publikun e huaj dhe me qarqet politike ndërkombëtare.
Roli historik i këtij shtypi dhe i organizatave që e botonin qëndron në vlerat dhe virtytet e larta që kultivonin, në zgjimin shqiptar dhe përgatitjen e rezistencës kolektive kundër sundimit të huaj. Shtypi ishte mjet paqësor i veprimit, por nga regjimi trajtohej si veprimtari e rëndë terroriste. Prangat e gojës janë akoma më të rënda se ato të duarve, prandaj siç ka thënë Xhon Kenedi (John Kennedy), “Ata të cilët e bëjnë të pamundshëm revolucionin paqësor, revolucionin e dhunshëm e bëjnë të paevitueshëm”.
Autorja shqyrton vetëm disa nga gazetat dhe revistat e shtypit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilat përbënin një sistem të tërë komunikimi të brendshëm dhe me publikun. Aty botoheshin informata me objektivitet dhe etikë profesionale, përhapeshin idetë e lirisë dhe të luftës në emër të saj, demaskohej regjimi dhe paraqitej e vërteta për gjendjen e shqiptarëve të robëruar, madje publikoheshin edhe krijime artistike të angazhuara kombëtarisht.
Shtypi klandestin përbënte embrionin e shtypit të lirë e të pavarur në trevat e pushtuara shqiptare, sepse nuk censurohej as kishte nevojë për dekodifikim, prandaj siç do të thoshte Italo Kalvino, e lehtësonte peshën e rëndë të jetës së robëruar.
Roli i shtypit klandestin siç shkruante „Liria“ e mirënjohur ishte të qenit „tribunë e vërtetë që ka për qëllim të ndihmojë bashki¬min e gjithë popullit në luftë kundër pushtu¬esve dhe tradhtarëve“, „të ngrejë lart me krenari tra¬ditat e shkëlqyera luftarake të së kaluarës së lavdishme të popullit tonë, përpjekjet e luftërat e tij për liri e bashkim kombëtar.”
Shtypi çlirimtar ishte dëshmi dhe pasqyrim i realitetit historik, të represionit sistematik mbi një popull të tërë, në një anë dhe të mendimit të ri politik e kombëtar e të programit të lirisë, nga ana tjetër.
Mbetet ende punë e madhe për studiuesit e historiografinë shqiptare për ndriçimin e gjithë dimensionit të veprimtarisë nëpërmjet të shtypit klandestin të Lëvizjes Kombëtare. Libri i Rudina Zeqirit përbën kontribut të ri dhe shumë të çmuar për pasurimin e studimeve të kësaj fushe. Ai do t’u hyjë në punë për referim studiuesve, por është edhe libër për të gjithë, sepse është hartuar rrjedhshëm, kuptueshëm, me ilustrime fotografike e të faksimileve dhe me kompetencë shkencore. Libri i Rudinës, si një monument shkencor do t’u kujtojë brezave të sotëm dhe të ardhshëm themelet mbi të cilat është ngritur liria.