Kosovë

Vdes në aksident 36-vjeçari kosovar në Kanadë, gruaja e tij në gjendje të rëndë

Sipas medieve kanadeze, Kreshnik Cermjani ka mbetur i vdekur në vend pasi u aksidentua me një automjet të tipit “SUV”, ndërsa gruaja e tij, Ermira, është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në spital, transmeton lajmi.net.

Mediet kanë njoftuar se Kreshniku dhe Ermira po ktheheshin nga darka për në shtëpi, ndërsa kanë së bashku tre fëmijë të moshës 11, 14 dhe 16 vjeçare.

Vëllau i madh, Debatik Cermjani, ishte duke qëndruar me nipat dhe mbesën e tij kur ka kuptuar lajmin për vdekjen e vëllaut në aksident.

“Ai ishte shumë i afërt me babain. Pyeste se kush do të kujdeset për ne? Thoshte se ai bëri gjithçka për ne”, ka thënë Debatiku për djalin e madh të Kreshnikut.

Të dy vëllezërit punonin në Kanadë si bojaxhi, ndërsa kishin shkuar atje 15 vite më parë nga Kosova për një jetë më të mirë.

“Niku (Kreshniku) ishte një njeri energjetik dhe punëtor i madh”, deklaroi Ilir Kuqi, president i Shoqatës së Shqiptarëve në Kanadë të Calgary.

“Çdokush në komunitet e donte Nikun. Niku ishte një djalë i mirë. Ai u ofronte mbështetje komunitetit kur kishin nevojë, ishte çdoherë i gatshëm të ndihmonte”, deklaroi tutje ai.

Vëllai i Kreshnikut, i cili ka katër fëmijë, është zotuar se do t’i marrë në mbikëqyrje edhe tre fëmijët e të ndjerit.