Tre vjet nga aksidenti fatal i “Besa trans” në Bullgari, me 45 të vdekur, vetëm 20 muaj burg për pronarin e kompanisë
Sot janë mbushur tre vjet nga tragjedia fatale e autobusit “Besa Trans” në Bullgari, ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa 7 të tjerë pësuan me plagë.
Shkaku kryesor për aksidentin në Bullgari sipas autoriteteve bullgare, gjegjësisht sipas zëvendëskryeprokurorit bullgar, Borislav Sarafov ka qenë faktori njeri, apo shoferi i ndjerë tashmë i autobusit i cili ka vozitur me shpejtësi më të madhe se sa që është lejuar në atë pjesë ku ka ndodhur aksidenti.
Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, Gjykata Penale e Shkupit më 7 mars të këtij viti shpalli aktgjykimin për rastin “Besa Trans”, me ç’rast pronari i kësaj kompanie, Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burgim, ndërkaq kompania u detyrua që të paguaj dëmshpërblim me vlerë 800.000 denarë.
Sipas Prokurorisë, autobusi i kësaj kompanie ka dalë nga nga territori i Maqedonisë së Veriut me certifikatë licence të falsifikuar dhe për këtë është përgjegjës kompania si subjekt juridik dhe pronari i saj Bekim Haxhiu.
Por edhe përkundër këtij vendimi, avokati mbrojtës i kësaj kompanie, Asmir Alispahiq ka qenë i pakënaqur me vendimin, duke theksuar se do të vijoj ankesat, pasi që autobusi ka pasur licence të rregullt.
Familjet e të vdekurve përmes avokatëve të tyre kanë kundërshtuar hetimin e institucioneve, por edhe aktgjykimet e shpallura.
Aksidenti fatal ndodhi më 23 nëntor 2021 në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.