Transportonte valixhe me kokainë në Zvicër/ Si u kap shqiptarja shtatzënë

Gjykata ka shpallur fajtore kosovaren dhe i ka dhënë një dënim me kusht me burg prej dhjetë muajsh me një periudhë prove prej pesë vitesh.

Qytetarja 32-vjeçare e Kosovës kishte takuar një korrier droge në verën e vitit 2015 i cili udhëtonte rregullisht nga Amsterdami në St.Gallen, çdo herë duke sjellë një valixhe në Zvicër që përmbante midis dy dhe pesë kilogramë kokainë. E akuzuara është fajësuar se kishte qenë pjesëmarrëse në të paktën pesë nga këto udhëtime, shkruan tagblatt.ch.

Në seancën dëgjimore në Gjykatën e Qarkut në St.Gallen, prokurori publik tha se ajo e dinte që i dashuri i saj kishte marrë një valixhe me drogë atje. Sipas vërejtjeve të tij, ajo ka bërë punën e shoferes për të dashurin, me makinën e saj. Ata kanë kaluar natën në Amsterdam, kanë marrë valixhen e përgatitur, kanë kaluar Gjermaninë, pastaj kanë përdorur tragetin nga Friedrichshafen për në Romanshorn dhe kanë arritur në St.Gallen.

Të akuzuarit kishin marrë kompensim për shpenzimet e tyre në Amsterdam, ka theksuar prokurori. Përveç kësaj, ajo dhe i dashuri i saj kanë ndarë përgjysmë tarifën prej 2,000 franga për valixhe.

Bashkëpunimi ka përfunduar kur të dy janë ndarë në fund të janarit të vitit 2016. Ndërsa kosovarja e cila është rritur në Gjermani dhe Zvicër, është takuar në fund të korrikut 2017 me një të njohur i cili ishte gjithashtu një ndërmjetës droge midis Amsterdamit dhe St.Gallen.

E akuzuara ishte shtatzënë në atë kohë dhe kishte probleme financiare. Ajo i kishte kërkuar të njohurit që t’i jepte para hua. Si kundërshpërblim ajo do ta shoqëronte atë në Amsterdam për të marrë një valixhe me kokainë dhe për ta sjellë në Zvicër.