Toshkovski: Tetë persona u arrestuan, katër prej tyre për tentim djegie të flamurit
Policia ka arrestuar 8 persona që lidhen me incidentet gjatë festimit të 28 nëntorit në Shkup.
Edhe personi që ka hequr flamurin maqedonas, edhe ai që është kapur në flagrancë teksa ka tentuar ta ndez flamurin maqedonas, tashmë ndodhen në paraburgim, dhe ndaj tyre do të ndërmerren të gjitha veprimet adekuate të parapara me ligj. 4 prej 8 të arrestuarve, sipas ministrit të brendshëm, rrezikojnë të dënohen me së paku 1 vit burg.
Pançe Toshkovski, thotë se bëhet fjalë për grupe individuale dhe se policia po heton të gjitha videot nëpër rrjetet sociale.
“Katër prej tyre janë arrestuar sepse kanë kryer shkelje, pjesmarrje në rrahje… 2:59 Ndërsa 4 personat e tjerë, janë arrestuar, sepse për ta kemi dyshime të bazuara se kanë kryer veprën penale 319, nga kodi penal, që ka të bëjë me ‘nxitje e urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, mosmarrëveshje dhe padurim’ ku është paraparë dënim prej minimalisht 1 vit burg. Ndaj tyre do të dorëzohen kallëzime adekuate, njëri prej tyre është I mitur, ndërsa 3 të tjerë janë të rritur. Për fat të keq më duhet të konstatoj se bëhet fjalë për persona të rinj, 18, 19, 20, 21 mendoj se është më I vjetri, që gjatë ditës së djeshme e bënë këtë vepër penale”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër I Punëve të Brendshme.
Ai tha se do të hetohen të gjitha rrethanat dhe indikacionet për të parë se përse gjëra të tilla po ndodhin pikërisht tani. Ai në mënyrë të prerë, tha se nuk do të lejojnë nxitje të tensioneve ndëretnike dhe se do t’i përgjigjen në mënyrë të ashpër çfarëdo skenari apo tentimi për destabilizimin e shtetit.
“Në më shumë qytete nëpër shtet kishte festime adekuate…Këto festime, për fat të mirë, në pjesën më të madhe ishin të kulturuara, njerëzit u tërhoqën qetë dhe në mënyrë të kulturuar, pas përfundimit të atyre ngjarjeve, dhe nuk kishte incidente. Por është fakt se ajo që ndodhi në Shkup, veçanërisht në pjesën e përdhosjes së flamurit maqedonas dhe kjo që e thoni ju, në pjesën e gjuajtjes me armë, është e patolerueshme. Nuk do të lejojmë lloji i tillë I veprimeve, të nxisin tensione ndëretnike në Maqedoni, ajo që e kemi thënë është se ka paralajmërime, ka tentime që do të nxisin padurim ndërnacional në Maqedoni dhe ja përsëri dëshmi se e njëjta po ndodh”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër I Punëve të Brendshme.
Edhe prokuroria themelore publike ka njoftuar se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e incidentin me përdhosjen e flamurit shtetëror. /Alsat.mk