Tetova disa ditë probleme me ujin e pijshëm
Banorët e qytetit të Tetovës janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm tashmë disa ditë me radhë. Problemi filloi që më 15 dhjetor kur edhe ka filluar të ulet sasia e ujit në burime. Nga dita në ditë kjo sasi nga 300 litra ujë në sekondë ka rënë në 190 litra në sekondë, që është e pamjaftueshme për të furnizuar në mënyrë normale këtë qytet.
Ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale gjatë vikendit kanë dalur në terren dhe janë duke punuar në sanimin e situatës së krijuar, por ka shumë vështirësi për shkak të kushteve klimatike. Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë njoftojnë se për shkak të një defekti në gypin e linjës në Leshnicës, uji në rezervuaret e qytetit pëson rënie drastike.
“Indiciet e para të rënies së sasisë së ujit janë shfaqur më 15 dhjetor nga furnizimi në lumin e Leshnicës më 16 dhjetor sasitë filluan ndjeshëm të zvogëlohen dhe ne me ekipet që bëjnë monitorimin e gjendjes së ujit kemi dalur në teren për të gjetur problemin. Kemi vërejtur se në lokacionin Lumi i Ftohtë, kemi turbullirë të ujit dhe kjo na dha një sinjal se kemi problem në sistemin e ujësjellësit të Leshnicës. Më 17 dhjetor, tashmë ekipet lokalizuan se ku është problemi dhe problem është rreth 300 metra larg nga lokacioni Uji i Ftohtë në drejtim të Leshnicës. Më 18 dhjetor kemi filluar hapjen e rrugës sepse bëhet fjalë për një trasë prej 11 kilometrave nga filter stacioni që të dërgojmë materialet e nevojshme. Të dielën është parë se ku qëndron problem dhe tashmë ekipet janë atje dhe punojnë pra mendojmë që më së voni deri ditën e mërkurë të sanohet defekti”, tha Lulzim Shaqiri, përgjegjës i seksionit të ujësjellësit.
Poashtu bëhet e ditur se tereni është shumë i papërshtatshëm për të intervenuar në këtë pjesë të malit Sharr për shkak të reshjeve të borës. Njëkohësisht ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale kanë dalë në teren në lagjet 146 dhe në Çarshinë e Epërme, me qëllim që të shohin se a furnizohen edhe këta lagje me ujë të pijshëm. Që nga 17 dhjetori, Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë është detyruar që të fillojë me restrikcion të ujit për pije edhe atë nga ora 01:00 deri 05:00 gjatë natës si dhe nga 13:00 deri 16:00 gjate ditës. Si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit të qyetit, për zbutjen e kësaj situate, kjo ndërmarrje ka aktivizuar edhe puset në qytet. Ky restrikcion do të vlej deri në sanimin e defektit në linjën kryesore të Leshnicës.“Me vet sanimin e defektit shpresojmë që do të ndërpresim edhe restrikcionet por afat të saktë nuk mund të themi se punohet në kushte shumë të vështira” sqaroi Shaqiri.