Superekspertiza për “Llaskarcën” nxiti përplasje të ashpra në gjykatë

Superekspertiza për “Llaskarcën” nxiti përplasje të ashpra në gjykatë

Në një atmosferë të tensionuar dhe pas më shumë se 1 viti pritje, u prezantua në gjykatë super-ekspertiza për aksidentin tragjik në Llaskarcë. Sipas të dhënave, në aksident ka çuar fakti që autobusi nuk e ka pasur të aktivizuar sistemin për frenim. Sipas të dëmtuarve, bën fajtor të vetëm shoferin e autobusit Manoil Trifunovski dhe amniston pesë të akuzuarit tjerë.

Prokurori Darko Jakimovski përmes pyetjeve vendoste në pikëpyetje kredibilitetin dhe profesionalizmin e ekspertëve në fushën në të cilën e kanë kryer ekspertizën, përkatësisht makinerisë. Ai la të nënkuptohet se këta ekspertë në mënyrë selektive i kanë shfrytëzuar të dhënat e ekspertizave paraprake.

Një hap më tutje shkuan akuzat e palës së dëmtuar, Bllagojçe Tërpevski që humbi djalin në këtë tragjedi dyshon se kjo ekspertizë nuk është punuar fare nga këta ekspertë, por është e porositur me qëllim që të shpëtohen fajtorët.

“Personi i cili e prezantonte super ekspertizën, u shihte se nuk ja ka idenë për asgjë, ai asgjë s’ka punuar për këtë super ekspertizë, as nuk e dinë se kush e ka bë këtë. Njëri prej ekspertëve prezent sigurisht që ka punuar në atë super ekspertizë, dhe për fat të keq vërtetohet që kjo super ekspertizë është e porositur nga ana e mbrojtjes me qëllim që të fshihen faktet dhe dëshmitë”, tha Bllagojçe Tërpevski, prind i viktimës në aksidentin e Llaskarcës.

Pyetjet e prokurorit publik nuk i pëlqyen mbrojtjes së të akuzuarve, të cilët ndërhynin secilën herë që prokurori Darko Jakimovski parashtronte pyetje udhëheqësit të grupit të ekspertëve, Zekirija Zekirit. Ata për dallim nga pala e dëmtuar, dukeshin të kënaqur me gjetjet e super-ekspertizës.

Madje avokati i të akuzuarve Sashko Dukovski thuri lavde për ekspertët, tha se bëhet fjalë për doktorë shkence dhe persona kredibil, duke shtuar se për profesionalizmin e tyre flet statusi i tyre akademik. Sipas tij, për aksidentin duhet të përgjigjet vetëm shoferi i autobusit.

“Përfundimet e të dy ekspertizave janë se bëhet fjalë për faktor subjektiv, përkatësisht gabim subjektiv, pra faktori njeri dhe në rastin konkret bëhet fjalë për shoferin e autobusit. Ndërsa çdo përfshirje e personave tjerë të cilët janë të akuzuar për kualifikimin e njëjtë juridik është non-sens dhe e paprecedent”, theksoi Sashko Dukovski, avokat.

Aksidenti tragjik ku humbën jetën 16 persona dhe 37 ngelën të lënduar ndodhi në shkurt të vitit 2019 ndërkaq ky rast assesi të merr epilog gjyqësor. Përveç shoferi të autobusit, të akuzuar janë edhe pronari i kompanisë Durmo Tours, Durmish Beluli, përgjegjësi për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe tre punonjës të stacionit për kontroll teknik.