Maqedoni

Stjuart Piç: Bullgaria t’i plotësojë obligimet e saj

“PRESIM PROGRES NË DIALOGUN BEOGRAD-PRISHTINË”

I dërguari i posaçëm i qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Sër Stjuart Piç, në intervistë ekskluzive për TV Klan Maqedoni thotë se në kushte të Bosnjës në Evropë, vendet aleate të NATO-s dhe të BE-së duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që t’u kundërvihen trendeve negative dhe ndikimit rus, qëllimi i të cilit është të bëhet pengesë në rrugën e përparimit të rajonit. Për veton bullgare dhe propozimet e reja për kompromis, Sër Stjuart Piç, me të cilin biseduam gjatë Forumit të Prespës, thotë “të presim dhe të shohim”.

“Duhet të shohim, kjo është ndër temat kryesore këtu, por gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Do të jetë gabim të komentohen ngjarjet që për momentin zhvillohen në Bullgari. Në ushtri ka një thënie: të qëndrojmë të qetë. E kuptoj se kjo shkakton pasiguri, posaçërisht për të rinjtë, për familjet dhe bashkëndjej me ata. Britania vazhdon të punojë për mbështetjen e tyre, por në bazë kjo është çështje dypalëshe, kështu që duhet të shohim. Pozicioni im dhe pozicioni i Britanisë së Madhe është shumë i qartë – e mbështesim popullin tuaj për dekada me rradhë, në të mirë dhe në të keqe. E mbështesim procesin euroatlantik dhe këtë e bëjmë me vepra – me investime në miqësi dhe në lidhje me shoqërinë qytetare. Jo vetëm me mbështetje për shtetin.” – për Stjuart Piç, i dërguari britanik për ballkanin perëndimor.

I pyetur çfarë mesazhi do t’u dërgonte autoriteteve në Sofje, Sër Stjuart Piç u përgjigj.

“Vazhdojmë të punojmë me miqtë në Bullgari, si aleatë në NATO dhe vazhdojmë ta mbështesim rrugën euroatlantike për gjithë kontinentin, do të thotë se vazhdojmë të kërkojmë miqësi të fortë. Në të njëjtën kohë presim që Bullgaria t’i plotësojë obligimet e saj, është fakt se nuk jemi në vitet e 80-ta, të 90-ta të shekullit të kaluar, tani është viti 2022 kur në kontinentin tonë po ndodh një luftë e jashtëligjshme. Tani është koha për bashkëpunim me fqinjët tanë, me miqtë, me aleatët, është koha për zgjidhje të sa më shumë dallimeve të ndërsjella dhe për ndërtimin e të ardhmes më të mirë” – Sër Stjuart Piç, i dërguari britanik për ballkanin perëndimor.

Në rajon nuk duhet të lejohet që debatet dhe përçarjet politike si në Bosnjë e Hercegovinë të kthehen në problem të sigurisë.

“Jam i shqetësuar për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, duhet të sigurojmë që kontestet dhe përçarjet politike nuk do të kthehen në probleme të sigurisë. Ky është mesazhi im për BeH. E mbështes praninë e forcave ndërkombëtare, si të BE-së, ashtu edhe të NATO-s, është për të ardhur keq që ende janë të nevojshme, por janë të nevojshme” – Sër Stjuart Piç, i dërguari britanik për ballkanin perëndimor.

Në raport me dialogun Beograd – Prishtinë, Sër Stjuart Piç thotë se pozicioni i tij personal dhe pozicioni i qeverisë britanike është i qartë, mbështetje për dialogun, i ndihmuar, përkatësisht i mbështetur nga BE-ja. Presim progres sa më shpejt që është e mundur, shton i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor, në bisedë për TV Klan Maqedoni.