Rajon - Botë

Skandal në qeverinë britanike, Ministri i Shëndetësisë filmohet duke puthur ndihmësen

Ministri i Shëndetësisë i Britanisë së Madhe, Matt Hanock kërkoi falje për thyerjen e rregullave të distancimit shoqëror pasi u fotografua duke puthur ndihmësen e tij, Gina Coladangelo, burri i së cilës themeloi firmën e modës, Oliver Bonas.

Imazhet thuhet se u morën më 6 maj – kur Anglia ndaloi tubimet njerëzore në ambiente të brendshme dhe udhëzimi u bënte thirrje njerëzve që të mbajnë distancë.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur ai shkëmben puthje të nxehta në korridorin e zyrës me ndihmësen Coladangelo. Paraprakisht, Hancock kontrolloi mirë korridorin, përpara se të jepte atë puthje pasiononte.

Sipas gazetës ‘The Sun’, prej kohësh përflitej se mes tyre kishte një aferë, derisa vjen momenti i publikimit të këtyre pamjeve.

Theksojmë se 42 ​-vjeçari për herë të parë u takua me 43-vjeçaren në Universitetin e Oksfordit në fillim të viteve 2000. Ajo u bashkua me ekipin e tij vitin e kaluar.

Të dy janë të martuar. Hancock është i martuar prej 15 vitesh me bashkëshorten Martha dhe kanë tre fëmijë. Edhe ndihmësja e tij është nënë e tre fëmijëve.

Tashmë nuk dihet se çfarë do të ndodh me ministrin britanik pasi që opozita po kërkon largimin e tij prej kabinetit qeveritar.

Ndryshe, kryeministri Boris Johnson, sipas këshilltarëve të tij, nuk e ka ndërmend ta shkarkojë ministrin në kohë pandemie. /Telegrafi/