Shpërthimi në kanalin Ibër – Lepenc, KEK-u shpreson në sanim të shpejtë
Kanali Ibër Lepenci, në të cilin sonte ndodhi shpërthimi, furnizon Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me ujë, por që deri tani kjo korporatë nuk ka informatë të saktë lidhur me ngjarjen.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, me marrjen e njoftimit për shpërthimin në gypin e Ibër Lepencit, është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevantë, përfshirë Ibër Lepencin, Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Ministrinë e Ekonomisë, organet e rendit dhe autoritetet tjera të përfshira.
“KEK shprehet se shpreson për një sanim sa më të shpejtë të situatës, por deri më tani nuk ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
KEK-u thotë se “për çdo zhvillim të ri, të gjitha palët e interesuara do të informohen në kohë optimale”.
Kryeshefi i Ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenci’, Faruk Mujka e ka konfirmuar se ka pasur një shpërthim në Zupçë të Zubin Potokut.
Mujka ka konfirmuar se tani duhet të ndalet furnizimi me ujë dhe të sanohet problemi.
“Po një mjet shpërthyes është gjuajtur në kanal, është një urë që është dëmtuar dhe ka ra krejt komplet një muri. Duhet me u ndalë uji duhet me u sanu dëmi. Duhet sa më shpejt, sepse furnizohen ujësjellësit, furnizohet KEK-u, është kanali kryesor. Uji është ndalur, derisa të bëhet sanimi i dëmit”, ka thënë Mujka për KALLXO.com.
Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit
Lexo po ashtu
Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit
Sipas Mujkës, një mjet shpërthyes është hedhur në kanal dhe ka dëmtuar një urë, ku një e murit ka rënë komplet.
Ndryshe, si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal furnizohet me ujë të pa përpunuar edhe Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes.
Për shkak të këtyre pasojave KRU “Mitrovica” ka ftuar banorët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijshëm.
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.