Maqedoni

Rusia ndaloi importin e mollëve nga Maqedonia, Geer: Rusia përpiqet të demonstrojë ndikimin e saj me vendime të tilla

Nga 1 dhjetori, Rusia ka ndaluar importin e mollëve nga Maqedonia e Veriut me pretekstin se në to janë gjetur insekte ngjyrë kafe, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas informacionit të Shërbimit Federal Rus për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Fitosanitare, dëmi i bujqësisë së tyre nga përhapja e mundshme e këtij insekti mund të arrijë deri në dy miliardë rubla në vit. Por për momentin nuk dihet se sa do të jetë dëmi për bujqësinë në vendin tonë.

Ambasadori i BE-së në vend, David Geer, tha se Rusia, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në shumë vende të tjera, mundohet të demonstrojë ndikim duke marrë vendime të tilla.

“Ne po shohim ndikime të ndryshme që ndodhin si rezultat i luftës së paprovokuar të Rusisë dhe luftës agresive ndaj Ukrainës. Ky ndikim nuk po ndodh vetëm në vendin tuaj, por edhe në vende të ndryshme evropiane dhe në botë”, tha Geer.

Por ky vendim i Rusisë do të prekë më së shumti banorët e Prespës si prodhuesit më të mëdhenj të mollëve. Kryetari Jovan Tozievski thotë se kjo situatë do ta komplikojë edhe më shumë procesin e prodhimit në Prespë.