October 15, 2024
Rajon - Botë

Rreth 160.000 besimtarë falën namazin e xhumasë në Al-Aksa

Pavarësisht kufizimeve izraelite, mijëra besimtarë kryen namazin e fundit të xhumasë në Ramazan

Rreth 160.000 besimtarë sot e kanë falur namazin e xhumasë në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin lindore të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht kufizimeve izraelite, mijëra besimtarë kryen namazin e fundit të Xhumasë në Ramazan, muaji i shenjtë i muslimanëve.

Drejtoria e Vakëfeve Islame të Kudsit tha se rreth 160.000 njerëz e kanë falur namazin e xhumasë në Al-Aksa.

Pas faljes, disa grupe palestineze shpalosën një flamur palestinez në shkallët e Xhamisë Kubetussahra (Kupola e Shkëmbit) dhe brohoritën parulla.

Policia izraelite sot ndërhyri me plumba gome dhe bomba zhurmuese pas namazit të sabahut.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze më herët sot tha se 42 persona u plagosën gjatë bastisjes së policisë izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa.

Dy orë pas bastisjes, policia izraelite u tërhoq nga Al-Aksa.

Palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë nevojë për leje të posaçme për të vizituar të afërmit e tyre në Izrael dhe për të shkuar në vendet e shenjta siç është xhamia Al-Aksa.

Për të dalë nga Bregu Perëndimor, palestinezët duhet të përdorin një nga 23 pikat e kontrollit ushtarak përgjatë “murit ndarës”.

Izraeli nuk i lejon meshkujt e moshës prej 12 deri në 40 vjeç, palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar që të shkojnë në Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Gratë, fëmijët dhe burrat mbi 50 vjeç mund të vijnë në Al-Aksa, ndërsa burrat nga mosha 40 deri në 50 vjeç duhet të marrin leje speciale nga ushtria izraelite.

Për muslimanët, Al-Aksa është faltorja e tretë më e rëndësishme, ndërsa hebrenjtë besojnë se dikur kishte dy tempuj hebrenj në këtë vend.