Reagime për grisjen e flamurit të RMV-së, Prokuroria po merr masa për zbardhjen e ngjarjes
Gjatë festimit të mbrëmshëm të Ditës së Flamurit Shqiptar – 28 Nëntorit, në Shkup është grisur flamuri maqedonas, siç shihet nga videot e publikuara në rrjetet sociale. Pasi disa rrugë në disa pjesë të Shkupit u bllokuan mbrëmë nga autokolona automjetesh, nga të cilat valëviteshin flamujt shqiptarë, në videot e publikuara në rrjetin social X, në afërsi të Bit-Pazarit, në një makinë shihet një person duke grisur flamurin maqedonas dhe hedh mënjanë, transmeton Portalb.mk.
Pas incidentit, sot nga Prokuroria Publike kanë thënë se po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes.
“Është njoftuar prokurori publik, po ndërmerren veprimet për zbardhjen e ngjarjes”, njofton PTHP.
VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM opozitare e dënuan incidentin.
LSDM-ja opozitare kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski që të veprojë urgjentisht dhe MPB-ja të marrë të gjitha masat e nevojshme për sanksionimin e kryerësve të këtyre veprimeve të pamenduara dhe të dëmshme.
Partia në pushtet reagoi poashtu ndaj thirrjeve fyese. Sipas VMRO-DPMNE-së, veprimet e tilla kanë prapavijë politike, dhe krijuesit e tyre, përmes temave dhe ndarjeve etnike, duan të afirmohen në diskursin publik në mungesë të një oferte reale politike.
Еdhe Bashkimi Demokratik për Integrim dënoi aktin, siç thonë, individual, të djegies së flamurit shtetëror, që sipas BDI-së erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë.
“Dënojmë ashpër ndërhyrjen e paprecedent të policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën. Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike. Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që VMRO-DPMNE dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, partia Koncepti maqedonas madje, ngjarjet e djeshme i quan “kërcënim terrorist për rendin kushtetues dhe duhen trajtuar në përputhje me nenin 313 të KP”, i dënueshëm më së paku 10 vjet.
“Strukturat kriminale dhe bandat marksiste-leniniste të vendosura në vend gjatë periudhës komuniste janë promovues të shovinizmit etnik shqiptar, i cili është një katalizator për destabilizimin e NATO-s dhe parandalimin e zgjerimit të BE-së në Ballkan. Është e nevojshme të dënohet dhe sanksionohet edhe nga faktorë ndërkombëtarë. Presim një reagim nga BE-ja dhe NATO-ja në këtë drejtim, veçanërisht nga partneri strategjik SHBA”, thonë nga kjo parti.