Politikani i ri, çmimi, populli dhe shokët e tij!

Nga Osama Muadini

Një politikan i ri, i cili me bindjet, qëndrimet, reagimet dhe kërkesat e tij, i ishte bërë therrë në sy pushtetit dhe sistemit që kishin ndërtuar ata ndër vite, pushteti si përfundim kishte vendosur që “ta blejë” atë.

Pas tentimeve të kota për shantazh, obstruksioneve të vazhdueshme, bile edhe kërcënimeve ndaj tij, pushteti vendos që të përdorë edhe blerjen, vetëm e vetëm ta “heqin qafe”, sepse i pengonte sistemit dhe kishte përkrahje në popull.

E dërgojnë një “të shitur” për ta takuar atë dhe për ta bindur që të “shitet” dhe pasi ulen të bisedojnë, ky i thotë :”Pse nuk u shite derimë tani, siç kanë bërë shumica e politikanëve tjerë?”

Si të shitem? … ia kthen politikani i ri.

Sa e ke çmimin ? …i thotë ky!

Po nuk kam çmim që të shitem dhe s’më bleni dot!

Çdokush ka çmim, vetëm thuaje! Se fundja edhe populli po shitet, e jo ti!

Pasi mendohet pak, politikani i ri i thotë:
“Meqë edhe populli shiteshka, atëherë shko dhe pyet çdo qytetarë që më përkrahë mua, sa e kanë çmimin secili prej tyre një nga një, dhe mblidhe shumën e tyre dhe eja e ma trego çmimin e përgjithshëm, pastaj e shohim a ia vlenë të shitem për atë çmim!”…

Kjo nuk është e mundur! – ia ktheu
“i shituri”. Si shumë po lypke ti!

Po a the që polulli po shitet? Po.
A the sa e ke çmimin? Po.

Epo atëherë, çmimin se sa vlejë unë e përcakton populli, e nëse mund t’i bleni të gjithë ata me çmimin që ata ia kanë vendosur vetes, atëherë do të mund të më bleni mua.

“I shituri” i hidhëruar nga përgjigja, pasi çohet nga tavolina i thotë: “Do të t’i blejmë shokët që të kanë ngelë, se një pjesë t’i kemi blerë! E do ngelesh vetëm me popullin”….

“Më mjafton populli, sepse nga populli e për popullin do të bëhemi shumë shokë, e s’do të na bleni dot”