Maqedoni

Pesë vjet nga vrasja e 4-vjeçarit Almir Aliu (VIDEO)

Një pesë vjetor i dhimbshëm për familjen Aliu nga Kumanova, por edhe për të gjithë shqiptarët. Më 26 qershor 2016, Almiri 4 vjeçar dhe familja e tij u godit për vdekje nga Boban Iliq, para Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë. Zënka mes familjes Aliu dhe Iliq, kishte nisur brenda këtij institucioni shëndetësor. Ata nuk ishin njohur më parë. Incidenti ishte momental, për shkak se Sedati ia lëshoi rendin një gruaje më të moshuar dhe kjo gjë e kishte nervozuar Iliqin i cili po priste në radhë me të dashurën e tij. Por konflikti nuk kishte përfunduar me kaq. Iliqi nervozën e tij e kishte shprehur jashtë objektit, i cili e merr veturën e tij dhe me shpejtësi të madhe godet familjen Aliu, ndërsa plagë më të fuqishme mori i vogli Almir. Trupi i tij i brishtë provoi të jetonte edhe një javë tjetër pas aksidentit, mirëpo më 1 korrik ju dorëzua vdekjes dhe një ditë më vonë, më 2 korrik ai u varros, në varrezat e qytetit. E gjithë ndodhia e këtij rasti ishte filmuar nga disa kamera të sigurisë së rrugës dhe momentin që ato pamje u bënë publike, në opinion shpërtheu nervozë dhe revoltë e madhe ndaj vrasësit. Por, videoja nuk ishte e rëndësishme për institucionet gjyqësore, pasi Iliq ndiqej për veprën “vrasje me paramendim“, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës në “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Kurse gjykata dy herë radhazi e dënoi atë me dënim minimal, prej 6 vitesh. Por, duke mos u mjaftuar me kaq, dënimi vrasësit Iliq, ju ulë edhe dy vite të tjera, duke bërë që ai të vuaj burg vetëm 4 vite. Ndërsa, familjarët e Almirit, babai i vogëlushit Sadat Aliu u dënuan me 6 muaj burg, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu nga 9 muaj. Për të njëjtin rast, ishte i akuzuar edhe Bojan Iliqit, vëllaut të Boban Iliqit,pasi edhe ai ishte i përfshirë në dhunë , por Prokuroria e Kumanovës vendosi që t’ia tërheq akuzat, të cilat e ngarkonin për vepër penale “dhunë”.

Nga vendimi i parë kishte pasur reagime dhe vërjetje të shumta, gjë që bëri që rasti të kthehej nga e para, por as në herën e dytë nuk ndryshoi asgjë dhe u shqiptuan po të njëjtat dënime.

Për këtë rast, shumë herë u organizuan edhe protesta, për të kërkuar drejtësi për Almirin, por të njëjtat nuk ndryshuan asgjë për familjen Aliu./SHENJA/