Perinski: “Ne po krijojmë një të ardhme” – rajoni energjetik efikas juglindor me 300 ditë me diell brenda vitit
Ministri Perinski në Radovish: “Ne po krijojmë një të ardhme” – rajoni energjetik efikas juglindor
Komunat e Radovishit, Konçes dhe Vasilevës arritën efikasitet energjetik si rezultat i projektit “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i balancuar rajonal” faza 2, i cili u zbatua nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës dhe në suaya të së cilës deri më tani janë vendosur sistemet fotovoltaike në dy lokacione në zonën e Radovishit, në drejtim të krijimit të një rajoni efikas energjetik.
Ministri Zllatko Perinski sot ka vizituar Komunën e Radovishit, ku së bashku me kryetarin Aco Ristov, kryetarët e Konçes dhe Vasilevës, Zlatko Ristov dhe Sllave Andonov, ka vizituar objektet ku janë instaluar sistemet fotovoltaike, si dhe ka dëgjuar edhe përvojat e deritanishme pozitive nga zbatimi i projektit.
Kryetari i Komunës së Radovishit, Aco Ristov, theksoi se falë mbështetjes së Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Qeverisë së Zvicrës, komuna bashkë me komunat fqinje Konçe dhe Vasilevë e ka aplikuar plotësisht projektin, i cili për ta është i një rëndësie të madhe.
“Jam i lumtur që jam nikoqir i këtij mega projekti të pazakontë me të cilin do të ulim ndjeshëm kostot, do të rrisim efiçencën energjetike dhe do të mund të riinvestojmë fitimet në infrastrukturë dhe prioritete të tjera me interes për qytetarët. Në përgjithësi do të kemi kursime të mëdha dhe përfitim të shumëfishtë”, tha Ristov.
Komunat Vasilevë dhe Konçe do të shfrytëzojnë secila nga 25 për qind të energjisë elektrike të prodhuar, kryetarët e së cilës, Sllave Andonov dhe Zllatko Ristov, shprehën mirënjohje të madhe për mbështetjen e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Qeverisë së Zvicrës.
Sipas ministrit Perinski, ky projekt është një shembull i shkëlqyer se si mund të shfrytëzohen 300 ditë mesatare me diell në rajonin juglindor.
“Kjo paraqet një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, për përmirësimin e standardit të jetesës, duke qenë se ky projekt krijon kushte për uljen e konsumit të energjisë elektrike, që ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Në këtë rast, ne jo vetëm promovojmë përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, por ofrojmë edhe siguri afatgjatë energjetike që ndikon në përmirësimin e cilësisë së jetës. Ky është gjithashtu një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkomunal dhe besoj se mund të përsëritet edhe në komuna dhe rajone të tjera. Me realizimin e këtij projekti po i bashkohemi trendit të shfrytëzimit të potencialeve të energjisë së rinovueshme për ruajtjen e mjedisit natyror dhe po ndikojmë pozitivisht në gjendjen energjetike në të gjithë vendin”, theksoi ministri i Pushtetit lokal Zllatko Perinski.
Sipas Gjoko Kamçevit, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Rajonit Juglindor, me këtë projekt është bërë një hap i madh për të ardhmen, për krijimin e komunave me efikasitet energjetik, gjë që redukton në mënyrë drastike kostot e energjisë elektrike. Ai inkurajoi njësitë dhe qarqet e tjera vendore që të ndjekin shembullin e këtij projekti në drejtim të komunave më efikase në lidhje me efiçencën e energjisë.