Për bashkimin rreth historisë sonë të përbashkët – perandori Samoil erga omnes

Naum Kajçev
Bashkimi objektiv rreth historisë sonë të përbashkët që nga koha e perandorit Samoil, nga Mesjeta në përgjithësi dhe nga epokat e mëvonshme, do të na bëjë të gjithëve ne, qytetarëve të dy vendeve, më të bashkuar dhe më të pasur në Evropë.

Siç e dinë lexuesit e mirëinformuar, në katër muajt e fundit bisedimet e nivelit të ekspertëve midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut mbi historinë tonë të përbashkët kanë ngecur për shkak të pozicioneve të ndryshme rreth disa figurave dhe ndodhive historike, jo vetëm për Goce Dellçev, por edhe për shkak të pikëpamjeve të ndryshme se si të prezantohet vepra dhe shteti i perandorit Samoil në librat shkollorë të historisë. (Në këtë rast – librin e klasës së shtatë).

Në fakt, nuk ka ndonjë dilemë të veçantë kërkimore për shkencën moderne të historisë në lidhje me vendin që ka sunduar Samuili, pasi natyra e tij është sqaruar prej kohësh. Megjithëse në një masë më të vogël se Filipi dhe Aleksandri i Madh i famshëm, personaliteti i perandorit Samoil ka një vend të përhershëm në shkencën botërore. Për arsye të kuptueshme, sundimtari i Prespës dhe Ohrit luajti një rol të rëndësishëm në historinë e Perandorisë Bizantine, prandaj Bizantologjia – një degë prestigjioze e studimeve mesjetare e krijuar me traditat e veta domethënëse, është marrë me të për dekada, madje për shekuj.

Shkenca bashkëkohore botërore për Samuilin

Kolegu nga Komisioni, prof. Momçill Metodiev, u prezantoi të gjithë anëtarëve të saj një listë prej 21 librash mbi historinë bizantine, të botuar nga botues akademikë me autoritet në anglisht në 30 vitet e fundit, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë me personalitetin e perandorit Samoil. Këto përfshijnë botime klasike si The Oxford Dictionary of Byzantium dhe The Cambridge History of the Byzantine Empire ose monografitë e specializuara nga Paul Stevensen Byzantium’s Balkan Frontier: A Political Study of the Northern Balkans, 900-1204 dhe nga Ketrin Holms (Catherine Holmes), Basil II and the Governance of Empire, 976-1025. Ata të gjithë unanimisht përcaktojnë dhe emërtojnë shtetin e Samoilit si Bullgari. E ngjashme është pikëpamja edhe në qendrat e mëdha shkencore në Francë, Gjermani dhe në Rusi.

Megjithatë, konsensusi nuk është vetëm midis shkollave të largëta, ai vërehet edhe këtu në rajonin tonë. Bizantologjia e fuqishme greke e ka trajtuar gjithmonë vendin e perandorit Samoil në mënyrë korrekte, por më interesante janë ndryshimet në vende të tjera. Ne e dimë që në ish-Jugosllavi, për arsye të kuptueshme, sundimtari mesjetar ishte prezantuar ndryshe. Sidoqoftë, që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, historianët e vendeve të ish Jugosllavisë kanë filluar të shkëputen nga izolimi i tyre nga shkenca botërore dhe të braktisin tezat e vendosura për arsye pa bazë shkencore.

Për historianët kroatë, Samoili është domethënës, sepse pas perandorit Simeon, në kohën e tij, Bullgaria u bë përsëri një fqinj i Kroacisë, një fqinj i tillë që përpiqet të imponohet, megjithëse pa shumë sukses, mbi shtetin mesjetar kroat. Në fund të shekullit të 10-të, ushtritë e tij marshuan thellë në Dalmaci dhe sipas disa vlerësimeve, madje kishin arritur deri në Zarë. Vëllimi i parë nga vëllimi i madh përfaqësues „Historia e kroatëve“ nga Matica Hrvatska jep një kapitull të veçantë me titull “Kryengritja e komitopolëve dhe përpjekja për të rivendosur Perandorinë Bullgare” (fq. 602-603). Autorë të tjerë në të njëjtin botim shkruajnë për Samoilin e madh bullgaro-maqedonas (fq.57), “ushtritë bullgare” të të cilit nuk patën shumë sukses në depërtimin drejt Zarës. Me këtë emërtim ata nënkuptojnë shtetin bullgar, i cili e zhvendosi qendrën e tij në zonën aktuale gjeografike të Maqedonisë.

Edhe më indikative është ndryshimi në Serbi, ku ka një traditë më të madhe në bizantologji. Pas viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, atje u refuzuan tezat e vjetra nga koha e Jugosllavisë dhe u pranua pikëpamja e përgjithshme e karakterit bullgar të perandorit Samoil. Një rol të rëndësishëm luajti libri i historianit nga Instituti Ballkanik pranë Akademisës Serbe të Shkencës dhe Artit, Srdjan Pirivatriç „Shteti i Samoilit“, i cili merret në detaje me argumentet e deritanishme. Pozicionet e historiografisë bashkëkohore serbe mund të ilustrohen me vetë titullin e një artikulli të veçantë nga drejtori i ndjerë i Institutit të Historisë në Beogradi, Tibor Zhivkoviç, “Fushata e perandorit bullgar Samoil në Dallmaci”.