Maqedoni

Numri i divorceve në vend ka shënuar rritje për 9.4 për qind

Derisa për shumicën martesa konsiderohet si një institucion i shenjtë dhe i pathyeshëm, një tjetër fenomen që po merr hov, është divorci. Statistikat e fundit tregojnë një rritje shqetësuese të numrit të çifteve që vendosin të ndahen. 75 vjeçari Liman Ismaili, që ka parë dy epoka të ndryshme, shpreh habinë e tij, se si sot të rinjtë nuk hezitojnë fare kur vjen puna te ndarja.

Ai në të kaluarën ka qenë imam në një fshat dhe thotë se nga qindra kurorëzimet që ka realizuar, vetëm njëri ka rezultuar me ndarje.

“Atëherë në kohën e mëparshme nuk ka pas probleme, vetëm një problem e kam pas në jetën time, 20 vjet kam qenë imam dhe më ka thirr gjykata, më tha ke qenë hoxhë, imam në filan fshatin, thash po kam qenë, a e ke tha letrën e niqahit, thash po e kam por e thjeshtë është ajo letër…. Brenda 20 viteve kam bërë 100 kurorëzime, vetëm një bëri problem. A tash, shihe tash, tash edhe shihen mes vete, ne më herët nuk i kemi parë, edhe ku kam qenë në atë fshatin nuk i kemi parë asnjëherë, as vajzën as djalin, por kanë pas muhabet dhe nuk kanë ndodh këto gjërat, sot po bëhen shumë…”, tha Liman Ismaili, imam.

Psikologët dhe sociologët thonë se faktorët që po ndikojnë më së shumëti në rritjen e kësaj dukurie janë vendimi për martesë përpara se çifti të njihet mirë, pastaj mungesa e tolerancës së ndërsjelltë si dhe presionet ekonomike deri te pritshmëritë e parealizuara.

“Pas martesës dhe kur ata fillojnë të jetojnë bashkë dhe ta njohin njëri-tjetrin dhe të dalin në sipërfaqe gjërat që nuk janë parë me kohë. Të themi interesa jo të njejta, pritshmëri jo të njejta. Mos t’i harrojmë edhe shkaktarët e tjerë, mbase është aspekti sociologjik është edhe rrethi ku jetojnë. Për shkak se çifti si çift kanë pasur pritshmëri se do të kenë privatësinë e tyre”, tha Fatime Ziberi, psikologe.

Nga ana tjetër avokatët flasin për përvojat me proceset ligjore që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Avokati Skender Mehmedi thotë se numri më I madh I divorceve bëhet me marrëveshje mes çifteve, ndërsa më pak divorce bëhen në bazë të padisë nga njëra palë. Sipas Mehmedit vendimi për divorc shpesh është moment reaksional, ai madje shpjegon se si një çift që kishin vendosur të ndahen, hoqën dorë nga ky vendim dhe shkak u bë vonesa e dokumentacionit.

“Shpesh herë kanë ardh të stresuar dhe kërkesa është të kryhet më shpejtë, t’i fitoj të drejtat e mia, mirëpo ndoshta ai është moment reaksional, ku roli ynë nuk është vetëm këshilla formale juridike, por mendoj se obligimi ynë është përtej kësaj. Do t’ju ndaj një rast ku më është drejtu një, jo i afërt por i njohur, të cilit dokumentacioni ju vonu pak, derisa u kompletu… Për shkak të vonesës së dokumentacionit, çifti spontanisht e ka pa mundësinë dhe e ka gjetë arsyen se përse të mos vazhdojnë, mi kanë tërheq dokumentet dhe kanë plus edhe një fëmijë…”, tha Skender Mehmedi, avokat.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i divorceve shënon rritje për 9.4 përqind krahasuar me vitin 2022. Gjithësej brenda këtij viti janë regjistruar 1765 divorce. Sipas moshës, numri më i madh i divorceve ndodhin gjatë moshës 35 deri në 39 vjeç, ndërsa më së shpeshti divorci ndodh në vitin e 5 deri në vitin e 9 pas martesës. /Alsat.mk