Nga shtatori nxënësit do t’i rikthehen bankave të shkollës

Së shpejti do të përfundohen protokollet për kthimin e nxënësve në bankat shkollore dhe fillimin e vitit shkollor me prezencë fizike. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se Ministria e Shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Komisionin për Sëmundje Infektive janë në përpunimin e këtyre protokolleve. Ndërsa, shtoi se me arritjen e sasive të vaksinave do të fillojë edhe imunizimi i mësimdhënësve.

Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë

“Protokollet i referohen asaj që fëmijët të jenë prezent 100 përqind, pra i gjithë numri i nxënësve nëpër klasa, kështu po bëhet organizmi, domethënë protokollet përfshijnë kujdes, mbajtjen e distancës, ajrosjen e klasave, mospërzierjen e grupeve dhe besoj se për dy javë do të përfundohen të gjitha protokollet dhe kur do të fillojë vaksinimi me sasitë e vaksinave që do të vijnë së shpejti do të vazhdojmë me imunizimin e mësimdhënësve”.

Filipçe gjithashtu tha se ndarja e dëftesave nuk lidhet me gjendjen epidemiologjike në vend, sepse sipas tij, tani është koha e mirë dhe të njëjtat mund të ndahen edhe në oborret e shkollës, dhe se nuk janë të ndaluara organizimiet në vendet e hapura, kurse shtoi se përfaqësuesit e MASH janë të vetëdijshëm se si duhet të rrjedhë puna.