Ramazani 2023

Nga Novi Pazari nisen me motorë për në Mekë dhe Medine

Tre motoçiklistë, anëtarë të Klubit të Motoçiklistëve “Supoglavi”, Emir Ljajiç, Rijad Rustiç dhe Benjamin Huseinoviç janë nisur nga Novi Pazari në një udhëtim prej më shumë se 12 mijë kilometrash për të kryer umren në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Anëtari më i ri i kësaj ekspedite, Benjamin Huseinoviç, thotë se rruga në të cilën u nisën nga rajoni i Sanxhakut është “rruga e jetës”, dhe se udhëtimi i tij me motoçikletë drejt vendeve të shenjta të Islamit, është realizimi i ëndrrës së fëmijërisë.

“Që fëmijë e kam ëndërrruar këtë udhëtim. Kemi katër muaj që përgatitemi intensivisht. Ne jemi gati për këtë udhëtim. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, me caktimin e Zotit, por sapo të shohim Qaben, do të harrojmë gjithçka. Kështu u thashë miqve me të cilët udhëtoj: nëse ka telashe në këtë rrugëtim të gjatë, gjithçka do të harrohet gjatë takimit me Qaben”, tha Benjamin Huseinoviç nga Novi Pazari.

Motoçiklisti Emir Ljajiç është veçanërisht i lumtur sepse gjatë rrugës për në Mekë dhe Medine ai do të vizitojë edhe vendin e tretë më të shenjtë në Islam, kompleksin Al-Aksa në Palestinë.

“Ne i jemi mirënjohës Allahut për udhëzimin dhe gjithçka që na ka dhënë. Me një marrëveshje, ne vëllezërit kemi bërë një plan për një rrugë që është edhe rruga jonë e jetës, në mënyrë që me ndihmën e Allahut të vizitojmë vendet tona të shenjta me motoçikletë. E lus Allahun të na ndihmojë”, tha ai për AA.

Ata bënë gati hartën e rrugës, më shumë se 12,000 kilometra të gjatë, në mënyrë që të arrinin të sigurt në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës. Motoçiklisti Rijad Rustiç për herë të parë do të vizitojë vendet e shenjta, ndaj përveç adrenalinës së motoçikletave, ai është i emocionuar edhe për takimin e tij të parë me Qaben në Mekë.

“Do kalojmë nëpër Greqi, Izrael dhe Jordani dhe më pas në Mekë. Do të kalojmë pesë ditë në Medine dhe dhjetë në Mekë. Do të jemi në vendet e shenjta deri në Fitër Bajrami. Kur të mbarojmë gjithçka, kur të përfundojë Ramazani, ne do të udhëtojmë rreth Arabisë Saudite për dhjetë ditë dhe nëse Zoti na jep shëndet, ne do të kthehemi”, tha Rustiç për AA.

Përveç familjarëve dhe miqve të tyre, deri në dalje nga Serbia me motoçikletat i kanë shoqëruar edhe anëtarë të Klubit të Motoçiklistëve “Supoglavi”. /tesheshi.com/