Në Shqipëri arrestohen 15 persona për zjarrvënie, kërkohen dy të tjerë

Policia e Shtetit të Shqipërisë, me anë të Drejtorit të Rendit Publik, Ylli Vasili, bëri të ditur se në të gjithë Shqipërinë janë arrestuar 15 persona, janë proceduar penalisht 16 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 persona pasi akuzohen për zjarrvënie.

Sipas policisë, në Vlorë janë arrestuar 7 persona, pasi kanë djegur sipërfaqe të ndryshme toke në fshatin Tragjas, në fshatin Gjorm, në Karaburun, Delisuf, Radhimë dhe në Sarandë, ndërsa 1 shtetas është shpallur në kërkim pasi ka djegur dy sipërfaqe me ullinj në fshatin Gjorm.

Në Himarë janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë djegur sipërfaqe të pyllëzuara në fshatin Pilur dhe në fshatin Fterr.

Në Fier janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, konkretisht 2 shtetas janë arrestuar për zjarrin e vënë në pyllin e fshatit Gjorgoz dhe në pyllin e fshatit Kreshpan, 1 shtetas është arrestuar një shtetas për zjarrin e shkaktuar në tokat në Fermë Çlirim, 1 shtetas është arrestuar për zjarrin e shkaktuar në pyllin e fshatit Corrush, Mallkastër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për zjarrin e shkaktuar në Mbrostar Ferko dhe 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në Lushnjë, për zjarret e shkaktuara në kodrat e fshatit Karbunarë.

Në Kukës është arrestuar një shtetas për zjarrvënie në Malin e Gjallicës.

Në Lezhë është arrestuar 1 shtetas në Mirditë, për djegien e pyllit dhe një sipërfaqeje me pemë frutore në fshatin Simon, Mirditë, janë proceduar 2 shtetas në Lezhë, pasi kanë djegur një sipërfaqe me ullinj dhe pyllin e fshatit Mabë, Lezhë, si dhe 1 shtetas tjetër është proceduar në Kurbin, për djegien e një sipërfaqe kullote, ullinjve dhe pyllit në fshatin Zhejë, Kurbin.

Në Durrës është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht një tjetër pasi kanë vënë zjarr në sipërfaqe toke, në lagjen nr. 15, Durrës dhe në fshatin Shetaj, Ishëm.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas për zjarrvënie, pasi ka djegur një sipërfaqe pyjore prej 3 dynymë, në fshatin Baçallëk, Pogradec.

Në Elbasan është arrestuar 1 shtetas, 1 është proceduar penalisht, si dhe 1 është shpallur në kërkim, konkretisht: është arrestuar 1 shtetas në Belsh, pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Dëshiran, Belsh, 1 është proceduar në gjendje të lirë pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Gradisht, Belsh dhe 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim pasi ka djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme në fshatin Xhyrë, Librazhd.

Në Gjirokastër janë proceduar 5 persona për zjarrvënie, 1 shtetas për djegien e një sipërfaqe me vreshta në fshatin Valare, 3 shtetas për djegien e pyjeve në Mashkullorë, Qesorat, Arshi Lengo në Gjirokastër dhe 1 shtetas i proceduar për zjarrin në Dropull (Llovinë).