Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka vijuar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se është takuar me ndihmës sekretarin amerikan për Resurse Energjetike, Xhefri Ros Pajat.
“Gjatë vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvillova një takim shumë të frytshëm me ndihmës sekretarin amerikan për Resurse Energjetike, Xhefri Ros Pajat. Në këtë takim, më shoqëroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Gjatë takimit, diskutuam për resurset energjetike në vendin tonë, duke u fokusuar veçanërisht në investimet që kemi planifikuar për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të gjelbra. Një nga objektivat tona kryesore është zvogëlimi i varshmërisë nga importi i energjisë nga vendet e tjera.
Një pikë e rëndësishme që trajtuam ishte edhe kyçja e Maqedonisë së Veriut në gazsjellësin transanadolian (TANAP) dhe atë transadriatik (TAP). Kjo do të ulë ndjeshëm varshmërinë tonë për importin e energjisë nga jashtë dhe do të kontribuojë në stabilitetin energjetik të vendit.
Po ashtu, informova për planin afatgjatë që qeveria jonë është duke përpiluar në fushën e energjetikës, për përmirësimin e ajrit dhe ujërave në vend. Angazhimi për një të ardhme të gjelbër mbetet prioriteti ynë!”, ka shkruar Mexhiti.