Maqedoni

Maqedonia e Veriut e dyta në Evropë me rritjen e vdekjeve shtesë nga fillimi i pandemisë

Të dhënat e Eurostat dhe statistikat kombëtare përkatëse tregojnë se Maqedonia e Veriut, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Shqipërinë janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.

Për Maqedoninë e Veriut, rritja e fataliteteve për të njëjtën periudhë është +42.6%, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Republikës së Maqedonisë.

Në Kosovë, vdekshmëria kumulative shtesë për periudhën mars 2020-shtator 2021 në krahasim me periudhën përkatëse mesatare 2018-2019 ishte +43.4%.

Të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur shqipërinë të tretin në Europë.

Renditja vijon me Italinë, shtetin që u përball i pari në Europë me valën pandemike dhe që deri në 19 shtator 2021 kishte shënuar një rritje kumulative të vdekjeve shtesë prej gati 16%.

Më pak fatalitete në Europë kanë shënuar vendet nordike. Norvegjia është e vetmja në Europë që me fillimin e pandemisë nuk ka njohur rritje të vdekshmërisë shtesë (-1.2%). Në Danimarkë, Islandë, Finlandë, rritja ishte minimale midis 1 dhe 3%. Gjermania, shteti që ka qenë i rreptë me masat kufizuese ka parë një rritje të fataliteteve shtesë që nga marsi 2020 me 4.2%. Suedia, shteti që refuzoi që në fillim ndërmarrjen e masave kufizuese, në mënyrë që të mos shkelte lirinë e banorëve të saj ka rezultuar me një rritje të vdekjeve shtesë prej gati 6%, më të lartë sesa fqinjët e saj, por më të ulët se shtetet e tjera të Europës. Muajt e dimrit pritet ta kenë përkeqësuar tendencën, teksa edhe sipas deklarimeve zyrtare ka pasur një shtim të fataliteteve, duke filluar nga tetori. /SHENJA