Maqedoni

Ligji për prejardhjen e pronës harrohet nga pushteti, mbetet vetëm premtim në letër

Ligji për prejardhjen e pronës, si mekanizëm për luftë kundër korrupsionit, mbetet një premtim në letër. Qeveria e ka promovuar këtë mekanizëm duke e paralajmëruar në vazhdimësi por assesi të marrë hapin për ta dorëzuar nismën në Kuvend. Të pyetur nga Alsat, sot nga qeveria nuk u përgjigjën në pyetjet:

– Përse akoma nuk është miratuar ky ligj?
– Përse draft-versioni nuk është publikuar akoma për debat publik?
– A është dërguar ai draft-version në Komisionin e Venecias për mendim, ashtu siç kishte paralajmëruar në atë kohë zv/kryeministri i atëhershëm, Nikollovski?

Ky ligj do të procedohej nga kabineti i zv/kryeministrit për luftë kundër korrupsionit, i cili, pa ndonjë sqarim për arsyen, tani quhet vetëm kabineti i zv/kryeministres për politikat e qeverisjes së mirë.

“Kjo është diçka që miratohet pas 30 vjetësh. Propozimi do të ketë afat përkatës kur të gjithë do të duhet ta paraqesin pronën, do të ketë kufi të caktuar përtej të cilit do të kontrollohet, kështu që edhe Ligji do të zbatohet te të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh nëse ata janë prokurorë, gjykatës, prokurorë ose gjykatës, ne duhet t’i zgjidhim gjërat në mënyrë sistematike, pikërisht për këtë arsye do të hapim debat të tillë dhe jemi duke punuar me shumë mund pikërisht në atë zgjidhje sistemore”, tha Lubço Nikollovski, ish zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Versioni i përgatitur duhet të ishte bërë publik vetëm një javë pas kësaj deklarate të cilën ish zv/kryeministri për luftë kundër korrupsionit Lupço Nikollovski e kishte dhënë që në shtator të vitit 2021.

Komisioni për parandalimin e Korrupsionit i ka duart e lidhura për të hetuar pronën e funksionarëve. Ky institucion mund të kontrollojë vetëm pronën në listat anketuese të cilat vetë i dorëzojnë funksionarët. Në shumë raste, Antikorrupsioni nuk merr as listat e përditësuara të institucioneve me funksionarët që zgjidhen dhe emërohen.

“Komisioni Shtetëror vepron mbi listat pronësore të cilat funksionarët i dorëzojnë vetë, vetë paraqesin se çfarë pronë kanë. Antikorrupsioni hulumton nëse ajo pronë në listën anketuese korrespondon me pronën që e ka paraqitur në institucionet tjera. Nëse pronat janë të fshehta, nëse ata janë në emër të dikujt tjetër do të them përsëri se është i nevojshëm miratimi i ligjit për prejardhjen e pronës për të gjithë i cili do të mundësojë që qytetari në momentin e paraqitjes së pronës, pa marrë parasysh a është funksionar ose jo të tregojë prej ku i ka marrë paratë për atë pronë”, deklaroi Biljana Ivanovska, Komisioni kundër korrupsionit.

Qeveria nuk e ka bërë kurrë publik draft versionin e Ligjit për prejardhjen e pronës por flitet për një kufi prej 30 000 eurosh. Çdo pasuri mbi këtë shumë do të kontrollohet. Një institucion i posaçëm do të konfiskojë secilën pronë, prejardhja e të cilës nuk do të mund të konfirmohet. /Alsat.mk