October 8, 2024
Kosovë

Lazim Destani: Lavdi UÇK-së dhe martirëve që ranë për lirinë e Kosovës!

17 Shkurti i djeshëm, 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ishte një ditë e ngjeshur me aktivitete festuese në Prishtinë. Një ditë që gëzimin e shikoje në sytë e çdo shqiptari aty që kishte dalë për të festuar, në sytë e qindra të ftuarve në këto ceremoni, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Diaspora.
I ftuar nga autoritetet Qeveritare pata nderin të marr pjesë në këto aktivitete, duke filluar nga ceremonia solemne e mbajtur në Parlamentin e Kosovës, ku pata rastin e kënaqësinë të takohem edhe me shumë personalitete shqiptare e ndërkombëtare.
Gëzimi më i madh ishte të shikoje në sheshin kryesor ushtrinë dhe policinë e Kosovës teksa parakalonin forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë së një shteti të lirë, demokratik e të pavarur.
Gjatë aktiviteteve e manifestimeve të shumta takova të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës si dhe liderët politik të vendit të cilëve ua urova 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Lavdi UÇK-së dhe martirëve që ranë për lirinë e Kosovës!
Mirënjohje NATO-s, SHBA-ve dhe gjithë botës demokratike që mbështeti dhe vazhdon ta përkrahë Pavarësinë e Kosovës.
Urime KOSOVË!