Kulturë

Kujtime: Një mbrëmje në Preshevë me profesorin tim, poetin Qerim Arifi!

SHKRUAN: NEHAT JAHIU
Ora e gjashtë mësimore kishte përfunduar. Të gjithë nxënësit dolën nga shkolla së bashku me profesorët. Brenda shkollës mbetën vetëm pastrueset, të cilat pastronin klasat ku ishte zhvilluar mësimi. Të fundit dolëm unë dhe profesori i gjuhës angleze. Pasi zbriti shkallët e hyrjes së shkollës, profesori më futi krahun dhe vazhduam rrugën për të shkuar tek një qebaptore që gjendej disa metra pranë shkollës së mesme “Skënderbeu” në Preshevë. Hymë në lokal dhe vendosëm të uleshim në një tavolinë përballë dritareve të rrugës. Profesori u drejtua nga unë që të porosisja kafe, por ishte aq këmbëngulës për të ngrënë një darkë të përbashkët. Qysh përpara se kamarieri të na sillte ushqimin e darkës, ne filluam bisedën.
Ah, profesori! Si sot më del përpara figura e tij, me atë trup të shkurtër, me kapotë, pa kollare. Ishte shumë i ri. Në dukje e veshje ishte i thjeshtë, por shpirtërisht dallohej nga të tjerët. Profesori dukej se vuante për gjithçka. Më shkonte shpesh mendja dhe e krahasoja me Migjenin, poetin tonë të mjerimit. Më dukej se edhe në shpirtin e profesorit tim të gjuhës angleze shihja një vuajtje shpirtërore. Pasi hëngrëm darkë vazhduam të qëndronim në lokal duke biseduar goxha kohë. Ai nxirrte shumë fjalë nga shpirti i tij i përvuajtur dhe m’i falte mua që t’i merrja në shpirtin tim për t’i ruajtur si kujtim. Pas një kohe u ngritëm duke e paguar kamarierin. Dolëm nga dera e lokalit që hyrjen dhe daljen e kishte në rrugën kryesore të qytetit, aty pranë gjimnazit “Skënderbeu”. Tani duhej të ndaheshim me profesorin. Unë do të vazhdoja rrugën për në banesën ku banoja atë kohë, si nxënës i shkollës së mesme. Edhe profesori do të vazhdonte rrugën në drejtim të shtëpisë së tij. Rruga që të shpinte në shtëpinë ku banoja unë, ishte e njëjta rrugë që të shpinte pak metra më larg nga shtëpia e profesorit.
Kur arritëm aty pranë shtëpisë, profesori më kapi për krahu dhe më tha: do të hyjmë pak minuta në shtëpinë time, pasi dua të të dhuroj diçka. Unë u habita dhe menjëherë fillova të mendoja se çfarë do të më dhuronte profesori mua, kur nuk kishte çfarë të më dhuronte? Edhe pse kishte punuar për një kohë të gjatë si profesor, kushtet e tij të jetesës ishin shumë të vështira. Sërish në mendjen time erdhi Migjeni, poeti i mjerimit, veçanërisht për rrëfimin për nxënësin e tij, Lulin e vocërr. Çfarë do të më dhurosh, o profesor i mjerë?! Hymë brenda në shtëpi. Profesori ecte para e unë shkoja pas tij. Kaluam në një dhomë ku të mpinte i ftohti i cili siç duket donte të na thithte gjakun nga mushkëritë mua dhe profesorit. Në skaj të dhomës, mbështetur pas murit, ishin të vendosura disa pako të mbështjella me letër. Unë nuk e dija çfarë kishte brenda atyre pakove. Profesori mori në duar një pako, e zgjidhi dhe atëherë unë mbeta i shtangur. Profesori më kishte ftuar për të më dhuruar një dhuratë shumë të çmuar. Kjo dhuratë ishte libri i tij i parë, i sapobotuar, që mbante emrin dhe mbiemrin Qerim Arifi. Në kopertinë shkruhej titulli i librit: “Kujtime”. Profesori im dhe poeti Qerim Arifi, me duart e mpira nga të ftohtit, nxorri një stilolaps nga kapota, hapi librin dhe filloi të shkruante disa fjalë, se këtë libër ia dhuroj nxënësit tim Nehat Jahiu në shenjë respekti dhe kujtimi. Shkruajti datën në anën e majtë të faqes së parë, muajin, vitin dhe qytetin Preshevë. Në anën tjetër të faqes shkroi autorin dhe vendosi nënshkrimin e tij. Ky libër ishte për mua një kujtim që nuk do e harroja kurrë.
Ditënetët iknin bashkë me kohën dhe jeta vazhdonte. Unë e përfundova shkollën e mesme dhe shkova me studime në Gjakovë. Nga shkolla e mesme dhe Presheva mora me vete shumë kujtime, por profesorin dhe poetin e madh Qerim Arifi nuk munda ta harroja kurrë. Ai jetonte dhe punonte në Prishtinë. Komunikonim shpesh. Koha bëri të vetën. Piërisht në kohën kur poeti Qerim Arifi i duhej vargut të poezisë, i duhej krijimtarisë letrare, u nda nga kjo jetë në një moshë të re për të mos u gjendur më fizikisht mes nesh. Ai iku, ndërsa neve na la veprat. Kujtimi im për profesorin dhe poetin e ndjerë z. Qerim Arifi më mbeti në shpirt për ta përkujtuar gjithë jetën.

Qerim Arifi u lind në Preshevë, më 22 shkurt 1946. Shkollimin fillor e kreu në Preshevë, kurse shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik (dega Gjuhë angleze) në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në arsim, por pjesën më të madhe të punës së vet e ka bërë si gazetar në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë. Me poezi ka filluar të merret që nga rinia e hershme. Është marrë edhe me përkthime. Punimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Është përfaqësuar në shumë antologji dhe libra me biografi të shqiptarëve. Vdiq në Strugë dhe u varros në Prishtinë në vitin 1990.

Ka botuar këto vepra:
1. “Kujtime” (1970)
2. “Nokturno” (1983)
3. “Fatamogranë” (1984)
4. “Mbyllur në urnë” (1987)
5. “Rekuiem për kalanë” (1988)

Në shenjë nderimi dhe respekti për profesorin dhe poetin Qerim Arifi, thurra po ashtu ca vargje që më dolën nga thellësia e shpirtit.

TË GJEJ TE VARGU I POEZISË
(Profesorit dhe poetit Qerim Arifit)

Shumë vite profesor tanimë kaluan
E shpirtin tim të dëlirë ma përvëluan
Sa herë nëpër vargje ty të përkujtoj
Më del para syve e me mall të shikoj

Eh, profesor, profesor i dashuri im
Sa herë ma ke djegur ti shpirtin tim
Më shtoheshin ethet e gjata të trishtimit
Ti mbete krenaria e madhe, poet i mjerimit

Sa herë zhytem thellë në disa mendime
Dhe shfletoj të hershmet tonat kujtime
Që i ruaj thellë e më thellë në shpirtin tim
O poet Qerim Arifi, o ti i shtrenjti im

Edhe pse ti tanimë nuk je në këtë botë
Poezitë kur t`i lexoj më mbysin me lot,
Malli dhe krenaria më djegin si një qiri
Eh, sa dhembje të thella më ke lënë në gji

Të shfletojmë kujtimet që nuk janë ndryshkur
E kanë mbetur si një lule dielli e pavyshkur,
Sa herë të kërkoj poet aq shumë prej mërzisë
Të gjej aty tek vargu yt, vargu i poezisë!