Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani festoi Ditën e Alfabetit në Manastir
Manifestimi i 116-vjetorit të Kongresit të Manastirit–Festa e Alfabetit Shqip
Pata nderin që, me ftesë të Zëvendëskryeministrit të parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, të marr pjesë si mysafire speciale në festimet e 116-vjetorit të Kongresit të Manastirit, një ngjarje historike që përjetëson alfabetin tonë të shenjtë dhe unitetin e kombit shqiptar, njoftoi kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, transmeton portali Lideri.mk.
Ajo ka shpërndarë edhe fotografi nga manifestimi i organizuar dhe atmosfera e krijuar.
“Atmosfera festive ishte e jashtëzakonshme, e gjallëruar nga performancat e valltarëve të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Emin Duraku” nga Shkupi, të cilët sollën me elegancë dhe energji folklorin tonë të pasur. Vallet e tyre, të shoqëruara nga tingujt e muzikës tradicionale, krijuan një emocion të veçantë mes të pranishmëve, duke na lidhur më fort me trashëgiminë tonë kulturore.
Ajo që e bëri këtë manifestim edhe më të bukur ishte pjesëmarrja e një numri të madh të rinjsh, të cilët kishin ardhur në Manastir për të përkujtuar këtë ditë të shënuar. Prania e tyre, plot gjallëri dhe krenari, na mbush me shpresë se trashëgimia e Alfabetit do të ruhet dhe zhvillohet nga brezat e ardhshëm.
Manastiri, një qytet simbolik për historinë dhe kulturën shqiptare, u shndërrua në një qendër të gjallë të unitetit kombëtar dhe të promovimit të vlerave tona kombëtare. Kjo festë ishte një dëshmi e lidhjes sonë të fortë me historinë dhe e përkushtimit për ta përcjellë atë si udhërrëfyes për të ardhmen”, ka shkruar Sinani./Lideri