Kancelari austriak, Sebastian Kurz, jep dorëheqje për shkak të akuzave për korrupsion

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje në një përpjekje për të shuar një krizë qeveritare të shkaktuar nga njoftimi i prokurorëve se ai është një objektiv i një hetimi korrupsioni.

Kurz tha se ai ka propozuar që Ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg, të jetë zëvendësuesi i tij, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Vetë Kurz planifikon të bëhet kreu i grupit parlamentar të Partisë Popullore Austriake.

Prokurorët kundër korrupsionit në Austri të mërkurën kanë bërë të ditur se kancelari Sebastian Kurz është duke u hetuar nën dyshimin për ryshfet dhe shkelje të besimit.

Hetimi është hapur për shkak se dyshohet që Kurz në vitin 2016 derisa ishte ministër i Jashtëm, dhe kërkonte të bëhej udhëheqës partie, dhe më vonë kur u bë kancelar, Ministria e Financave e drejtuar nga konservatorët pagoi reklamat në një gazetë në këmbim të sondazheve dhe mbulimit të favorshëm për atë.