October 15, 2024
BallinaMaqedoni

Incidenti në Aeroport, Kurti: Përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, do të ketë një raport zyrtar që do të tregojë me saktësi dhe hollësi se çfarë ka ndodhur.

Në konferencën e përbashkët me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, nga i cili është pritur në një takim bilateral, Kurti ka thënë se ka ajo që I ka ndodhur Osmanit ka qenë përjetim e përvojë e rëndë.

“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Kosovës, shkëlqesisë së saj, zonjës Vjosa Osmani- Sadriu, më 2 gusht në Aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e saj të vogla, Autoritete e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në hollësi dhe tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se beson që raporti zyrtar do ta zbardh se çfarë ka ndodhur.

“Duhet ta synojmë të vërtetën, dhe kurrsesi tensionimin, janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë … “Me çfarë kam dëgjuar sot dhe duke parë komunikatat e qëndrimet zyrtare të dy ministrive tona të jashtme, jam optimist se situatat e tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen, dhe njëkohësisht keqardhja që është shprehur me herët, është përsëritur edhe në këtë takim”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa kryeministri Mickoski ka thënë se ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin. Ku është pyetur për ndërhyrjen e anëtarit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ai ka thënë se pas raportit zyrtyar “askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se të gjithë personat do të vihen para përgjegjësisë”.