Fillon në Shkup kongresi i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë

Është hapur në Shkup kongresi i radhës i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë.
Në hapjen solemne të këtij eventi të rëndësishëm mjekësoro-shkencor, ka marë pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali.

“Sot kisha kënaqësi të marr pjesë në hapjen e kongresit të radhës Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë.
Edhe pse përcaktori etnik në mjekësi nuk është elementi më i rëndësishëm, më vjen mirë që mjekët shqiptarë janë tubuar rreth një asociacioni të këtillë dhe që me kaq përkushtim ndihmojnë në avancimin e dijeve shkencore të mjekësisë, nga e cila përfitojnë të gjithë.
Organizimi i Kongresit të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë sot në Shkup është një mundësi e re për të dëgjuar dije të reja, për të këmbyer përvoja të panjohura dhe për të zgjidhur probleme që janë paraqitur ndërkohë në shëndetësi.

Duke qenë i fokusuar në shëndetësinë post-COVID, ky kongres shndërrohet në ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për sistemin tonë shëndetësor”, tha Sali në fjalën e tij duke shpallur Kongresin e hapur.
Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë dhe personalisht si drejtues i saj, përveç që e vlerësojnë shumë këtë aktivitet, “e kemi lënë derën e hapur dhe dorën e shtrirë për cilëndo trajtë dhe nivel të bashkëpunimit që hap perspektiva të reja, që ofron risi dhe mundëson cilësi”.

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë është një organizatë që grumbullon mjekët shqiptarë nga të gjitha vendet evropiane ku jetojnë dhe veprojnë.

Kryetare e Federatës është Aurora Meta Dolenberg, kurse në bordin internacional anëtarë janë: Director: Dr. Gazmend Berisha-Norvegji, CO Director: Ornela Ademi-Hollandë 3-Research Officer: Dr. Fatjona Lubonja-USA 4-Public-Relation Officer: Dr. Rubena Maçi-Itali 5-DigiHealth/Medical Devices Officer: Ms. Bernarda Radoncic-Danimarkë.

“Në 2 vitet sfiduese pandemike, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë ka qenë një ndër shtyllat kryesore për menaxhimin e mirë të COVID-19. Ndihma dhe ekspertiza jonë vullnetare vazhdon të jetë një mbështetje e
pazëvendësueshme për ngritjen e mjekësisë të vendeve amtare në nivelet europiane.
Viti 2022 filloi për federatën me themelimin e bordit internacional me qëllim kryesor përfaqësimin e mjekëve në institucionet ndërkombtare shëndetësore dhe kordinimin e punës së degëve nacionale të federatës, të lokalizuara në 47 vende në Europë”, ka thënë Dolenberg.