Rajon - Botë

Escobar: SHBA-ja qëndron pranë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Podgoricë dha mesazhin e mbështetjes së SHBA-së për Malin e Zi sovran dhe gjithpërfshirës.

Ai më 11 nëntor takoi kryeministrin, Zdravko Krivokapiq dhe kryeparlamentarin Aleksa Beçiq.

Escobar, gjatë bisedës me kryeministrin malazez Krivokapiq, i kërkoi atij të mbajë fokusin në reformat e nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE), tha Ambasada e SHBA-së përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Sipas tyre, Escobar tha se Shtetet e Bashkuara janë përkrah gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe qytetar.

Kryeministri malazez ndërkaq në një konferencë për media tha se Qeveria “ka treguar rezultate të dukshme” dhe se nga zyrtari amerikan ka marrë “mbështetje të parezervë për vazhdimin e rrugës së saj”.

“Me Escobarin u fol edhe për korrupsionin. Rezultatet e arritura nga qeveria tregojnë se ne mund të jemi një vend pa korrupsion dhe të reduktojmë krimin në minimum”, tha Krivokapiq.

Kryeministri bëri të ditur se ai dhe Escobar ranë dakord se lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi rajonal janë të një rëndësie më të madhe për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Escobar gjatë bisedës me kryeparlamentarin malazez i ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit zyrtar për regjistrimin e popullsisë, i cili, siç vlerësoi ai, mund të rrisë tensionet nacionaliste.