Maqedoni

E kanë goditur me makinë për vdekje dhe e kanë grabitur: Tmerr në Fushë Tophane

Ahmed Kokica, 70 vjeç, doli nga puna dy javë më parë duke u kthyer në shtëpi dhe u përplas nga një makinë në një kryqëzim në lagjen fushë Tophane të Shkupit. Sipas familjarëve, të intervistuar nga gazetari i Alsat, personat që ndodheshin në makinë, në vend që ta ndihmonin dhe ta çonin në spital, e grabitën të moshuarin dhe e lanë në rrugë pa krye. Ai ra në koma dhe vdiq disa ditë më vonë.

Ahmedi punoi në një restorant deri në orën 22:00 dhe shkoi në shtëpi, por nuk u kthye më natën e 12 majit. Të afërmit nuk mund ta merrnin në celular sepse fajtorët me siguri ja kanë marrë dhe e kanë hedhur.

“Sipas informacioneve të para të mjekes atë ditë kur shkuam në spital, duke na treguar rastin, ajo tha se i ndjeri ishte përplasur në një vendkalim për këmbësorë. Dyshimet janë se e kanë goditur, e kanë marrë dhe e kanë hedhur në qorrsokak”, tha i afërmi i tij Semun Ameti për Alsat.

Në kërkim të gjurmëve, janë realizuar pamjet e kamerave të sigurisë të zonës ku ka ndodhur aksidenti dhe të shtëpive në rrugën ku është hedhur. Megjithatë, autoritetet nuk japin informacion nëse mjeti është identifikuar. Prokuroria Publike ka hapur procedurë para-hetimore dhe ka bërë të ditur se janë në fazën fillestare të rastit.

Nga MPB thonë se rasti në polici është raportuar rreth orës dy të mëngjesit. Pasi kanë arritur në vendngjarje, Ahmetin e kanë gjetur me lëndime të rënda trupore dhe pothuajse pa shenja jete. Ai është dërguar në Qendrën Klinike Nënë Tereza.

“Në një bisedë me stafin mjekësor të Klinikës së Toksikologjisë, ai ka deklaruar se ka pësuar lëndime nga përplasja me veturë. Zyrtarët policorë nga Njësiti për Aksidente në Komunikacion në SPB Shkup kanë zhvilluar bisedë me personelin mjekësor, pas së cilës është njoftuar Prokurori Publik dhe ka dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme. “SIA Shkup është duke punuar në zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB

Familjarët kanë marrë edhe një avokat, pasi dyshojnë se ka tentativë për të mbuluar ngjarjen. Ata kërkojnë që të identifikohen menjëherë autorët.

“Ka dyshime se ata që e kanë goditur e kanë hedhur dhe i kanë marrë paratë, çantën, telefonin dhe kanë dashur ta fshehin rastin”. Tani thonë se kishte një shishe në xhep, tani nuk e kuptoj. Ata janë goditur nga një automjet, shishja nuk është thyer dhe kanë marrë gjithçka tjetër. “Nuk kam koment tjetër”, tha i afërmi i tij Semun Ameti.

Sipas raportit të Mjekësisë Ligjore, autopsia ka rezultuar se Ahmed Kokica ka pasur gjurmë të goditjeve të forta nga ana e belit me brinjë dhe rruaza të thyera. Ai ra në koma për shkak të dëmtimeve në organet e tij vitale deri më 18 maj, kur vdiq në spital.

Nga gjuha maqedonase: DÇP