Autoriteti i aviacionit i Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se ka nisur hetimet sipas pretendimeve se dy aeroplanë pasagjerësh për pak u përplasën mbi Shkup më 7 shtator.
Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve “Flightradar24”, aeroplani i “Turkish Airlines” dhe aeroplani turko-gjerman “Sunexpress” pothuajse u përplasën në qiell mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 7 shtator në orën 18:32.
Aeroplani i “Turkish Airlines” po shkonte nga Madridi në Stamboll ndërsa aeroplani “Sunexpress” po shkonte nga aeroporti bregdetar turk Dalaman në aeroportin Gatwick në Londër.
Sipas “Flightradar24”, siç raporton sdk.mk, 30 sekonda para se të dy aeroplanët të kalonin njëri-tjetrin, po fluturonin në lartësi të njëjtë prej 11 mijë metrash.
Pak para se të kalonin, njëri aeroplan u ngjit në lartësi prej 11.081 metra dhe tjetri zbriti në 10.812 metra lartësi. Sipas rregullave të trafikut ajror, aeroplanët duhet të kenë së paku 600 metra ndarje vertikale.
“Flightradar24” është shërbim global i gjurmimit të fluturimeve që ofron informacion në kohë reale për mijëra aeroplanë në mbarë botën.
“Është e paqartë pse dy aeroplanët kanë qenë në të njëjtën lartësi në të njëjtën kohë, përkatësisht nëse ka qenë udhëzim i kontrollit të trafikut ajror apo gabimi i pilotëve”, thuhet në raportimin e mediave maqedonase.
Autoritetet në Maqedoni të Veriut nuk kanë dhënë komente pasi janë ende në fazën e hetimit.