Azeski: Pse nuk ka përgjegjësi për zvarritjen e projekteve infrastrukturore?

Azeski: Pse nuk ka përgjegjësi për zvarritjen e projekteve infrastrukturore?

Kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski e uron përvjetorin e Qeverisë me pesë pyetje lidhur me problemet kryesore me të cilat ballafaqohet ekonomia. Biznesi është i shqetësuar për mungesën e stafit të punës, për paratë e shpenzuara për bursa për të rinjtë për të studiuar jashtë vendit, prej të cilave, konsiderojnë se nuk kanë asnjë efekt. Azeski e qortoi qeverinë edhe për atë se po luan nxehtë – ftohtë me reformën tatimore. Dhimbja më e madhe për ekonominë është se projektet e infrastrukturës janë larg përfundimit.

“A ekziston koncepti i PËRGJEGJËSISË në këtë vend për zvarritjen e projekteve të infrastrukturës?”, pyeti Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.

Këtë pyetje Alsat ia bëri personalisht kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili ishte pjesë e manifestimit të organizuar nga Qeveria, që kishte për qëllim prezantimin e efekteve pozitive të qeverisjes së kësaj garniture politikanësh. Kryeministri u përgjigj indirekt se nuk do të kërkojë përgjegjësi për zvarritjen e projekteve infrastrukturore dhe fajin ia hodhi opozitës aktuale, VMRO-DPMNE.

“Përgjegjësia është para qytetarëve. Dhe sa i përket bashkëpunimit me Odën Ekonomike, jam plotësisht dakord që infrastruktura e nivelit të lartë është një nga kushtet për zhvillimin e suksesshëm të ekonomisë”, u përgjigj Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Pas njoftimeve të Qeverisë duhet të orientohet në importimin e fuqisë punëtore nga jashtë, kryeministri Kovaçevski sot e ka shpjeguar daljen e të rinjve jashtë vendit si një mundësi e përdorur mirë nga një pjesë e qytetarëve të vendit për të marrë paga më të larta.

“Dikur nuk mund të paramendohej që qytetarët tanë të shkojnë për të punuar në Çeki, në Sllovaki, në Poloni, në Rumani për pagë më të lartë”, tha Kovaçevski.

Dy javë më parë sektori i biznesit kritikoi qeverinë se duhet të përmirësojë bashkëpunimin me sektorin privat.

Biznesmenët janë të mendimit se qeveria merr vendime pa u konsultuar me biznesmenët dhe nuk dëgjon zërin e komunitetit të biznesit.