Avni Dehari me poezi emocioanle për djemtë Arbënorin dhe Astritin: Rrugë diellore!

RRUGË DIELLORE

Më 5 nëntor 2018, rruga në afërsi të spitalit të Prishtinës, për nder të jetës dhe veprës atdhetare të bijve të mi, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, mori emrin Arbënor dhe Astrit Dehari.

Ditëlindjet,
Ditërëniet Tuaja,
Mbi pikëllimin e prushtë,
Për mungesën Tuaj,
Në shpirtin dhe në zemrën tonë,
Shi pranvere reshin.

Ditëlindjet,
Ditërëniet Tuaja,
Mbi dhembjen dhe mallin për Ju,
Në shpirtin dhe në zemrën tonë,
Ujëvarë bjeshke derdhin.

Ditëlindjet,
Ditërëniet Tuaja,
Në brigjet e lumit
Të shpirtit e të zemrës sonë,
Në çdo agim,
Pemë shpirti mbëltojnë.

Ditëlindjet,
Ditërëniet Tuaja,
Nga zemra e Dardanisë,
Për në zemrën e Arbërisë,
Natën, Ditën, pa pushim,
Rrugë Diellore shtrojnë.

Ditëlindjet,
Ditërëniet Tuaja
Vdekjen nuk e përshëndesin,
E përbuzin, nuk e takojnë,
Në brigjet e lumit të zemrës,
Frutat e Pemës në kopshtin tonë,
Me rreze Dielli për ne i pjekin.

(Avni Dehari)