Kolumna

ANALIZË: Kampanja e zezë nuk mund të ndalojë fitoren e Danela Arsovskës

Qyteti i Shkupit është shndërruar në epiqendrën e ndeshjeve politike në mes opozitës dhe pozitës aktuale. Gara në mes kandidates së pavarur Danela Arsovska e cila mbështetet nga opozita dhe kryetarit aktual Petre Shilegov që vjen nga radhët e pozitës, gjegjësisht LSDM-së dita ditës bëhet më ‘e nxehtë’ në aspektin politik. Në rrethin e parë të zgjedhjeve Arsovska, kishte fituar me një diferencë të madhe prej tetë mijë votash përpara Shilegov, gjë që e bën favorite në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Propaganda e fundit, e publikuar nga LSDM, e që demantohet nga opozita dhe Danela Arsovska, kinse për posedimin e kësaj të fundit për pasaportë bullgare duket se nuk e ka arritur rezultatin që Petre Shilegov, por edhe kryeministri aktual Zoran Zaev e ka pritur që të ketë në popullatë. Zaev si kryeministër, dje ka paralajmëruar Arsovskën që të tërhiqet nga gara, ku është parë një frikë serioze tek kryeministri i cili ka premtuar që në rast të humbjes së qytetit të Shkupit do të tërhiqet nga postet politike. Arsovska, propagandën e tillë e ka demantuar dhe siç duket ka marrë përkrahje të shumtë, pasi që propaganda e njëjtë vjen dy-tre ditë para zgjedhjeve dhe që tregon qartë manipulimin nga radhët e LSDM-së për ruajtjen e fatit të liderit të tyre. Ndryshe edhe mediumet bullgare kanë demantuar publikisht që Arsovska posedon shtetësi bullgare, duke lënë hapësirë të mundshme për një padi serioze ndaj LSDM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev, ku fondet nga padia Arsovska ka premtuar ti dërgoj në çështje humanitare.

Arsovska, përveç diferencës me tetë mijë vota në rrethin e parë, ku është e mbështetur fuqishëm nga VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si dhe shoqëria civile dhe ajo e biznesit, kësaj radhe do të gëzojë mbështetjen edhe të kandidatit Arben Shaqiri i cili ka bërë thirrje që të mos votohet Shilegov në rrethin e dytë. Përveç Shaqirit, përkrahje për Arsovskën në të njëjtën mënyrë e ka bërë të ditur edhe kandidatja Ana Petrovska, e cila ka ftuar qytetarët që të votojnë kundër Shielgovit. Ndërsa partia opozitare me më shumë vota E Majta (LEVICA), ka dalë me kumtesë zyrtare ku fton qytetarët që të votohen partitë dhe kandidatët opozitar me thirrje që ‘Zaevizmi duhet të bjerrë’.

Duke parë parasysh rezultatin e rrethit të parë me tetë mijë vota diferencë, si dhe përkrahjen nga kandidatët e tjerë dhe opozita, bazuar në frymën e ndryshimit që po mbizotëron në territorin e vendit, ku opozita ka komuna më shumë të fituar se pozita, Arsovska në kalkulimet dhe anketat paraprake do të fitojë garën me një diferencë prej 20.000 deri 30.000 vota diferencë. Siç duket kampanja e zezë, më tepër i ka motivuar qytetarët për të votuar për Danela Arsovskën si kryetare e parë femër e qytetit të Shkupit.