Maqedoni

Albin Kurti shumë i qartë: Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk e lejon që të ketë Asociacion një etnik. Derisa ka folur për takimin që të mërkurën mbrëma e ka zhvilluar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, Kurti ka thënë se nuk do të tolerojnë që në këtë proces, Asociacioni i komunave më shumicë serbe të vihet si parakusht, raporton Ekonomia Online.

Në forumin ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, Kurti ka thënë se para se të shpallej Pavarësia, është kërkuar që Kosova të jetë multientike, dhe si e tillë është arritur. Sipas Kurtit, Kosovës nuk i nevojitet një Asociacion që është një etnik, pasi sipas tij, pakicat në vend i kanë të drejtat e garantuara.

Ai ka thënë se asnjë nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e Brukselit nuk duhet të ketë prioritet hierarkik dhe se “10 nenet ne planin evropian nuk tolerojnë që një nen nga fundi të sillet si i pari”.

“Procesi negociator do të duhej të na shpie përpara, unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e Bashkimit Evropian kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje … 33 marrëveshjet e Brukselit janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht”, është shprehur Kurti.

Sipas tij faktori ndërkombëtarë është duke insistuar që marrëveshja për Asociacionin të theksohet më shumë.

“Ka insistim nga faktori ndërkombëtar që Asociacioni i komunave më shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar me datën 19 prill 2019 e më pastaj edhe i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të vitit 2015 të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje që nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra në një mënyrë ajo është marrëveshje e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ripërsëritur se marrëveshja finale me Serbinë duhet të njohjen reciproke në qendër

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti, teksa ka folur edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

Ai ka folur edhe për planin evropian për dialogun me Serbinë.

“Diplomacia fluturuese iu është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, ka thënë Kurti.