Rajon - Botë

Agjencia amerikane miraton dozat përforcuese për të gjithë të rriturit nga vaksinat Pfizer dhe Moderna

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) autorizoi të premten dozat përforcuese për të gjithë të rriturit me vaksinat e Pfizer dhe të Moderna-s.

Sipas CNN, agjencia zgjeroi autorizimin e përdorimit emergjent për dozat përforcuese të të dy vaksinave me teknologji mRNA përtej atyre personave që dikur kishin të drejtë të merrnin dozën shtesë.

Deri vonë, dozat përforcuese ishin autorizuar për këdo 65 vjeçe e lart që ishte injektuar me Pfizer ose Moderna pas një periudhe gjashtëmujore, dhe për disa të rritur me rrezik të lartë infeksioni ose me sëmundje të rëndë.

Pfizer-BioNTech kërkoi autorizimin javën e kaluar bazuar në rezultatet e një testimit të Fazës së Tretë që përfshinte më shumë se 10 mijë pjesëmarrës.

Sipas këtij testimi doli se dozat shtesë ishin të sigurta dhe kishin një efikasitet prej 95 për qind kundër simptomave të COVID-19, krahasuar me skemën e vaksinave me dy doza në periudhën kur Delta po dominonte. Pfizer publikoi të dhënat e efikasitetit të dozave përforcuese gjatë muajit të kaluar, ende nuk janë rishikuar apo publikuar nga kolegët.