Maqedoni

Nebiu: Pesë banesat e Gruevskit vlerësohen në 1.9 milionë euro

Banesat e konfiskuara të ish kryeministrit të arratisur Nikolla Gruevskit, kapin vlerën e 1.9 milion eurove. Megjithatë ende nuk është kompletuar vlerësimi për të gjithë pronat e tij. Kështu deklaroi Drejtori i Agjencisë për pronë të konfiskuar Driton Nebiu, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Driton Nebiu, Drejtori i Agjencisë për pronë të konfiskuar

 “Sipas dokumentacionit që posedoj nga Byroja për ekspertizë ligjore, e gjithë prona ende nuk është kompletuar me vlerësimin, kemi edhe dy prona të patunshme. Për gjithë të tjerat vlerësimi është bërë, për të gjitha banesat dhe vlera është diku rreth 2 milion euro. Vlerësimi është bërë nga Byroja për ekspertizë ligjore dhe nëse dalin në shitje, nëse ankandi përfundon me sukses, kjo shumë mund të kthehet shpejt në buxhetin e shtetit”.

Duke folur më tej për ish drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, Nebiu tha se është e habitshme për të që nuk është shitur as një e treta nga prona e konfiskuar e Mijalkovit.

Driton Nebiu, Drejtori i Agjencisë për pronë të konfiskuar

“Është e habitshme përse mbeti pa u shitur një pjesë e pronës së Mijalkovit. Pasi erdha në këtë pozitë ndërmorëm hapa serioz që t`i shqyrtojmë gjithë lëndët dhe mundësitë që të kemi mundësi t`I vëmë në ankand publik pronat nga lëndët për të cilët ekzistojnë aktvendime të plotfuqishme nga Gjykata”.

I pyetur për rastin “Zhvatja” dhe të dënuarin Boki 13, se çfarë ka ndodhur me veshmbathjen e tij dhe çfarë shifre kapin ato, drejtori Nebiu u përgjigj se vlera e tyre shkon në 650 mijë euro. Ai shtoi se është çështjet ditësh kur do ta vendosin garderobën e tij për shitje.