79% e viktimave nga virusi, të pavaksinuar

Ministria e Shëndetësisë publikon analizën e të vaksinuarve, nga rastet pozitive me Covid-19, në periudhën nga 6 gushti deri më 2 dhjetor, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Të vaksinuar janë personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.

“Në periudhën nga 06.08-02.12.2021 në territorin e vendit, nga të testuarit me Covid 19 kanë rezultuar pozitivë 60.772 qytetarë, nga të cilët 31% janë vaksinuar plotësisht, pra 19.025 persona. Ka një numër i madh i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me Covid 19. Sipas statistikave të muajve të fundit, 41.747 qytetarë, pra 69% e të infektuarve pozitivë me Covid-19 nuk janë vaksinuar.

Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është drastikisht më e lartë, tregon analiza. Në periudhën 06.08-02.12.2021 nga numri i përgjithshëm i vdekjeve me Covid-19, 79% kanë qenë të pavaksinuar, ndërsa 21% kanë qenë të vaksinuar. Sipas analizave, viktimat kanë pasur disa sëmundje kronike të kombinuara”, thuhet në Analizën e MSH-së.

Nga MSH u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen se vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë përhapjen e mutacioneve SarsKov2.