Rajon - Botë

21 vite nga “11 Shtatori”, SHBA kujton sot sulmet më të mëdha terroriste që shkaktuan mbi tre mijë viktima

Katër avionë me pasagjerë u rrëmbyen 21 vite më parë nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë 11 shtator, presidenti amerikan Joe Biden do të vendosë një kurorë në Pentagon, njoftoi Shtëpia e Bardhë, ndërsa zonja e Parë Jill Biden do të flasë në Memorialin Kombëtar të Fluturimit 93 në Shanksville, Pensilvani.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj do të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore në Qendrën Përkujtimore Kombëtare të 11 Shtatorit në New York.

Më 11 shtator 2001, kamikazët rrëmbyen avionë amerikanë dhe i përplasën në dy qiellgërvishëset e qytetit të New York-ut, duke vrarë mijëra njerëz.
Katër avionë që fluturonin mbi pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rrëmbyen njëkohësisht nga një ekip i vogël rrëmbyesish.
Më pas ata u përdorën si raketa gjigante të drejtuara për të goditur ndërtesat ikonike të New York dhe Washington. Dy avionë u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York.
Aeroplani i parë goditi Kullën Veriore në orën 08:46 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa aeroplani i dytë goditi Kullën Jugore në 09:03 të mëngjesit sipas kokës lokale.
Ndërtesat morën flakë, duke bllokuar njerëzit në katet e sipërme dhe duke përfshirë të gjithë qytetin me tym të dendur.
Në më pak se dy orë, të dy kullat 110-katëshe u shembën në një re të madhe tymi.
Në orën 09:37, një aeroplan i tretë shkatërroi krahun perëndimor të Pentagonit, selinë e madhe të ushtrisë amerikane pranë Uashingtonit.
Një aeroplan i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani në orën 10:03 të mëngjesit pasi pasagjerët rezistuan.
Besohet se rrëmbyesit synonin të sulmonin ndërtesën e Capitol-itg në Washington.
2.977 persona humbën jetë, bashkë me 19 rrëmbyesit.
Të 246 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në katër avionë vdiqën, në Kullat Binjake, 2.606 njerëz vdiqën në vend ose më vonë nga plagët, dhe 125 njerëz vdiqën në Pentagon.
Viktima më e re ishte Christina Lee Henson dy vjeçe, e cila vdiq në një nga aeroplanët me prindërit e saj, Peter dhe Sue.
Mijëra njerëz u plagosën ose u diagnostikuan më vonë me sëmundje të lidhura me sulmet, duke përfshirë zjarrfikësit që punonin në rrënoja.
Sulmet ishin planifikuar nga Afganistani nga rrjeti ekstremist islamik Al Kaida. E udhëhequr nga Osama Bin Laden, Al Kaida fajësoi SHBA-në dhe aleatët e saj për luftërat në botën myslimane.
Rrëmbimet u kryen nga 19 persona, duke punuar në tre ekipe me nga pesë anëtarë secila dhe një nga katër – në një aeroplan që u rrëzua në Pensilvani.
Secili grup kishte dikë që kishte kryer trajnimin e pilotëve në shkollat e fluturimit në SHBA. Pesëmbëdhjetë nga rrëmbyesit ishin sauditë, ashtu si edhe vetë Bin Laden. Dy ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Organizatori i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Muhammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003. Që atëherë, ai është mbajtur në paraburgimin amerikan në Gjirin e Guantanamos, ku është në pritje të gjyqit.
U deshën më shumë se tetë muaj për të pastruar “Fushën Zero”, vendi ku u shembën Kullat Binjake. Tani ka një monument dhe një muze në atë vend, dhe ndërtesat janë rindërtuar, por me një pamje tjetër.
Rinovimi i Pentagonit zgjati pak më pak se një vit dhe stafi u kthye në zyra në gusht 2002.
Lideri i Al Kaidës Bin Laden u vra nga trupat amerikane në Pakistanin fqinj, në vitin 2011.